Gazeta Si – Një 52-vjeçar nga fshati Letëm i Librazhdit, ka humbur jetën për shkak të shirave të rrëmbyer të mbrëmjes së djeshme.
Policia ka njoftuar se ai ishte roje i një kanali vaditës në fshatin Letëm, ku dyshohet se u godit nga rrufeja dhe ka përfunduar në ujin e kanalit. Por për shkak të prurjeve të larta atë e ka marrë rrjedha e ujit.
“Pasditen e djeshme, në fshatin Letëm, Librazhd, dyshohet se aksidentalisht, për shkak të prurjeve të larta, rrjedha e ujit në kanalin vaditës Koshorisht-Zgosht, ka marrë shtetasin Sh. L., 52 vjeç, banues në fshatin Letëm, Librazhd (roja e këtij kanali vaditës), i cili si pasojë ka humbur jetën”, njoftoi policia.
I ndjeri punonte roje e kanalit vaditës dhe prej fundjavës kur kishte shkuar në punë kishte humbur kontaktin me familjen.
Bashkëshortja dhe të afërmit kishin sinjalizuar policinë dhe pas kërkimeve në zonë dhe përgjatë rrjedhës së kanalit vaditës në kufirin midis fshatit Letëm dhe Zgosht kanë gjetur veglat e tij të punës një kazmë dhe një lopatë si edhe kufomën e tij.
Paraprakisht dyshohet të ketë humbur jetën aksidentalisht në rrjedhën e rrëmbyeshme të degëzimit të lumit Rrapun ose është goditur nga rrufeja, ndërsa ka qenë duke kaluar nëpër përrua pasi gjatë të dielës ka qenë mot me stuhi e shkarkesa elektrike.
Kufoma është gjetur nga banorë të zonës në vendin e quajtur “Brigada e Parë” dhe më pas është dërguar për në morgun e Spitalit Rajonal në Elbasan ku do t’i nënshtrohet autopsisë për t’u përcaktuar shkaku i vdekjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



