Një vajzë, e cila nuk ka mbushur ende 12 vjeç, pasi ka kapërcyer rrezikun e jetës, nga krevati i spitalit ka drejtuar gishtin nga gjyshja. Edhe pse e moshuara i qëndronte në kokë e shqetësuar, fëmija e ka akuzuar L.O për dhunë, me pretendimin se ajo nuk e lejon të luajë me shoqet poshtë pallatit. Denoncimi u përpilua sipas burimeve të Gazetës “Si” në komisariatin numër 4 menjëherë sapo efektivët po tentonin të zbardhnin çfarë kishte ndodhur në familjen ku jeton fëmija dhe përse ajo kishte rrëmbyer ilaçet e gjyshes dhe i kishte pirë. Siç pohon i njëjti burim i sigurt i Gazetës “Si”, gjyshja L. O po e rrit fëmijën e vetme, pasi i biri është divorcuar dhe e ëma e braktisi. Por kujdesi i tepruar dhe meraku i të moshuarës është përkthyer ndryshe nga vajza e vogël që kërkon më tepër liri dhe këmbëngul të bëjë çfarë dëshiron ajo. Në kallëzim 12-vjeçarja përshkruan se e moshuara e qëlloi me shpullë pas të qarave të saj ku mes përplasjes së këmbëve kërkonte t’i plotësoheshin dëshirat.
Vajza, emrin e të cilës Gazeta “Si” e disponon, tregon se jeton me gjyshen dhe me babain e saj, ndërsa e ëma ka vazhduar jetën e saj duke e braktisur.
“Gjyshja më shqetëson, jetoj me të që kur mami me babin u divorcuan dhe mami më la. Por gjyshja kohët e fundit është sjellë keq me mua. Më pengon të dal e të luaj me shoqet poshtë pallatit. Nuk m’i plotëson dëshirat. Më akuzon se dal me çuna, gjë që nuk është e vërtetë”, thotë e mitura. Siç shkruajnë oficerët e policisë, fëmija ka rrëfyer se si gjyshja ndonjëherë e akuzon “do shkosh te bandillat”. Kur oficerët e pyetën fëmijën se përse ia thotë gjyshja këto fjalë ajo tregoi: sepse do që të mos zbres të luaj, do që mos të dal. Kjo gjë i ka shkaktuar ndjesi të keqe dhe mërzi. “Një ditë nëna më gjuajti edhe me shapkë para ca kohësh”, ndaj shton fëmija unë nuk dua të jetoj me të. Grindjet që nisin pikërisht kështu, nga njëra anë 12-vjeçarja që kërkon sa më shumë liri dhe nga ana tjetër e moshuara që është e shqetësuar për të, e kanë çuar fëmijën në një tjetër veprim ekstrem. Në tri raste ajo ka pirë ilaçet e gjyshes, e cila ndonëse i ka fshehur, së fundmi ato janë gjetur sërish nga 12-vjeçarja.
Rasti i fundit ku fëmija është përcjellë në spital me overdozë ilaçesh pati si shkak sërish përplasjen mes të moshuarës dhe mbesës së saj. Në kallëzimin që Gazeta “Si” disponon ekskluzivisht fëmija tregon: “Më thirri nga ballkoni kur isha duke luajtur, unë nuk iu përgjigja. Dhe kur nuk po i përgjigjesha mendoj që ajo telefonoi xhaxhain tim, i cili më mori në telefon dhe më tha: “kur të vij do ta shohësh çfarë do të bëj”. Në denoncim fëmija tregon se kur e la lojën në mes, ishte ngjitur në banesë dhe kishte shkuar te vendi ku gjyshja i kishte fshehur ilaçet e tensionit. “Këtë veprim e kam kryer edhe dy herë të tjera, kështu veprova sërish dhe mbaj mend që qante dhe po më çonte në spital”.
Pasi familjarët e fëmijës të alarmuar u kanë kërkuar ndihmë mjekëve dhe gjithë ankth nuk e shpjegojnë dot se çfarë po ndodh me vajzën, kur gjendja shëndetësore e fëmijës është stabilizuar ajo e ka zgjidhur vetë këtë paqartësi. Ajo ju tha policëve se gjyshja e tepron me këshilla, me kërkesa dhe se ajo nuk do të jetojë më me të, por “më mirë të më çoni në jetimore”.
Burimi i Gazetës “Si” tregon se fëmija është pyetur në prani të psikologëve dhe natyrisht oficerët kanë regjistruar çështjen për dhunë në familje, edhe pse nuk kanë asnjë provë dhe të dhënë për të moshuarën. L. O mes lotëve ka kërkuar ndihmë se si të sillet me fëmijën. “Unë po e rris vajzën, unë e dua shumë, qëllimi im është ta rris sa më mirë, e kritikoj e këshilloj dhe kam kujdes për të, por nuk është e vërtetë që e kam rrahur”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




