Irena Beqiraj

E majta e gërryer moralisht dhe e paaftë për ta fshehur këtë


Tipari themelor që duhet të dallojë të majtën dhe të djathtën nuk janë thjesht pikëpamjet e tyre përkatëse për ekonominë, por thelbi i dallimit janë qëndrimet e tyre në lidhje me rishpërndarjen. Për të majtët, sa më i madh është hendeku i ardhurave në një shoqëri, aq më të larta duhet të jenë taksat dhe aq më e madhe duhet të jetë rishpërndarja.

Por në 4 dekadat e fundit, të majtët kanë lëvizur në drejtim të kundërt. Edhe pse pabarazia është rritur, progresiviteti i taksave mbi të ardhurat është ulur, mbështetja në taksat regresive të konsumit të cilat rëndojnë mbi të varfrit është rritur, madje për t'u përshtatur me garën globale, kapitali taksohet edhe më pak. Lavjerrësi i politikës së majtë u zhvendos shumë shpejt drejt individualizmit duke injoruar nevojën e veprimit kolektiv, të rregulluar ose të organizuar nga qeveritë.

Të majtët u dorëzuan shumë lehtë ndaj fondamentalizmit të tregut dhe i pranuan parimet e tij si qëndrore. Për më tepër, ata e udhëhoqën lëvizjen e hiper-globalizimit në momentet vendimtare.

P.sh lëvizja e lirë e kapitalit  e cila është sot normë politike duke filluar nga Bashkimi Europian, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik dhe FMN ishte padyshim vendimi më fatal për pabarazinë e dukshme në ekonominë globale, në dekadat e fundit.

Ajo nuk u promovua nga ideologët e tregut të lirë, pra nga të djathtët, por nga teknokratët francezë si Jacques Delors dhe Henri Chavranski, të cilët ishin të lidhur ngushtë me Partinë Socialiste në Francë.  Po ashtu gjatë krizës së 2007-s,  ishin bankat dhe korporatat e mëdha që u shpëtuan nga të majtët, edhe jo familjet e thjeshta.

Thënë kjo, e majta tradicionale u bashkua me të djathtën për të prodhuar një formë politike që teoricieni politik Chantal Mouffe, e përshkroi në vitet 2000 si "post-demokratike ". Ndërsa socialdemokratët në të gjithë perëndimin adoptuan centrizmin si Rrugën e Tretë  ose “Thaçerizmin me fytyrë njerëzore”.

Ndërsa përkrahën të njëjtat mënyra të drejtimit ekonomik  si te djathtët, të majtët pretenduan se pabarazia që prodhohej në ekonomi do të zbutej nga  "ëmbëlsuesit" që merrnin formën e më shumë shpenzimeve për programet sociale dhe arsimin,  gjë që rrallë bëhej realitet.

Ndarja e madhe në politikë për të majtët nuk lidhej më me mënyrën se si duhet drejtuar ekonomia, por përkundrazi ato u fokusuan në marrëdhëniet shoqërore midis qeverisë dhe njerëzve. Ndaj edhe te majtët u  përfshijnë në çështjet e tjera si ato te gjinisë, racës dhe orientimit seksual. Ndaj edhe te majtët i ke sot në vend të parë për përdorimin e hapur të mediave.

Ekonomisti francez Thomas Piketty ka dokumentuar edhe një transformim interesant në bazën sociale të partive të majta. Deri në fund të viteve 1960, të varfrit në përgjithësi votonin për partitë e së majtës, ndërsa të pasurit votonin për të djathtën. Që atëherë, partitë e krahut të majtë janë kapur gjithnjë e më shumë nga elita e mirëarsimuar, të cilën Piketty e quan "E majta Brahmin", për t'i dalluar ato nga klasa e "tregtarit", anëtarët e së cilës ende votojnë për partitë e krahut të djathtë.

Piketty argumenton se ky transformim  i elitës se majtë e ka izoluar tq majtën nga kërkesat rishpërndarëse. E majta Brahmine nuk është miqësore me rishpërndarjen. Madje ajo arrin deri aty sa konfliktin e interesit ta justifikojë me meritokracinë.  Madje edhe trafiku i influencës pranohet hapur  si moralshëm nga të majtët edhe mbështetësit e tyre. Elitat e majta besojnë se ato e meritojnë vendin e privilegjuar në shoqëri, edhe të varfrit janë te tillë për shkak te paaftësisë së tyre e jo për shkak të mungesës së mundësive të barabarta.

Ndaj dallimi midis partive politike kryesore, nuk është sot më i madh sesa ai midis Pepsit dhe Cola-s, duke i lënë qytetaret pa zgjedhje reale edhe në një krizë të thellë përfaqësimi.

Kriza e sotme të përfaqësimit e ka zhvendosur konfliktin politik nga midis ideve të majta e të djathta (lënda parë e të cilave janë zgjidhjet ekonomike) në një konflikt midis qytetarëve të të gjitha bindjeve dhe një grupi të ngushtë oligarkësh, ose “kastës”. Qytetarët janë të lodhur nga çdo gjë që lidhet me të majtën tradicionale dhe po kërkojnë një qasje të re. Ose, siç e thotë Podemos , "Nëse doni ta bëni siç duhet, mos bëni atë që do të bënte e majta."

Kjo ndarje e politikës nga morali për një kohë të gjatë nga të majtët, ka bërë që çdo alternativë tjetër sado butaforike të jetë, të konsiderohet si më e mirë.

 Ndaj fitorja e Trump nuk duhet parë si një "lajthitje" e elektoratit amerikan por një" thirrje ulëritese " ndaj te majtëve: Jeni të gërryer moralisht edhe nuk jeni më të aftë ta fshihni ketë!


Copyright © Gazeta “Si”