Politike

E hëna e foltores, opozita proteston para Kryeministrisë, i pranishëm edhe Salianji

Nga Gazeta Si- Si çdo të hënë, opozita protestoi sërish para godinës së Kryeministrisë, vend të cilin kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar “Sheshi i Lirisë”.

Berisha, në fjalën e tij tha se këto dy vjet është shkruar dhe folur shumë për gjeneratën Z, gjeneratë e cila, janë të rinjtë që përmbysën diktatura mizore në Nepal, në Bangladesh dhe në vende të tjera.

“E vërteta është se kjo gjeneratë është bërë zëdhënësja më e guximshme, më e shkëlyqer e idealeve të kohës, e aspiratave të kohës. Por po të kthehemi 35 vite më parë, studentët e Universitetit të Tiranës ishin në kushte më të pakrahasueshme se studentët e asnjë vendi tjetër. Në Shqipëri, gjithçka, çdo përpjekje ishte shtypur dhe vendimi i përgjithshëm dukej se për Shqipërinë ishte, kështjellë e socializmit në brigjet e Adriatikut. Një grup i vogël studentësh, jo më shumë se qindra, nuk qenë dakord dhe një natë të 8 dhjetorit, dolën në protestë në qytetin e tyre”, vazhdoi më tej Berisha, duke shtuar se studentët e dhjetorit nuk kishin një forcë politike që t’u dilte zot ndërsa sot shqiptarët kanë PD.

“Parti e themeluar nga studentët e dhjetorit. Parti, e cila është e dyta dhe e vetme në gjithë hapësirën ish-komuniste që iu mbijetoi tallazeve dhe të gjitha përpjekjeve për ta zhdukur dhe mblidhet sot këtu e betuar si kurrë më parë për të rikthyer edhe njëherë në piedestal idealet e larta të lëvizjes së dhjetorit, lirinë e shqiptarëve, votën e lirë, dinjitetin e tyre, familjen shqiptare dhe interesin kombëtar të shqiptarëve”, tha Berisha.

I pranishëm në protestë ishte edhe Ervin Salianji, i cili javën e kaluar zhvilloi një takim në Durrës, takim që Berisha e cilësoi si takim personal.

I pyetur nëse ndjehej i sfiduar, Berisha tha javën e kaluar se Salianji mund të vazhdojë me agjendën e tij personale.

“I përgëzoj ata që e braktisën, këta ishin thjesht një grup të pakënaqurish se nuk u futën në lista deputetësh”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë