Politike

‘E hapim më 1 gusht’, premtimi i Melonit shtyhet pa afat, qendrat e emigrantëve nuk janë gati në Shëngjin  

Në fillim të muajit qershor, Kryeministrja italiane, Georgia Meloni, pasi inspektoi strukturat pritëse dhe akomoduese në Shëngjin dhe Gjadër të emigrantëve që do kapen në ujerat italiane, u shpreh e sigurtë se qendra do të hapet më 1 gusht.

Meloni theksoi se siguria do të garantohet nga autoritet italiane dhe me këtë marrëveshje, është hapur një fazë e re për menaxhimin e fluksit emigrator.

Por se kur do të hapet konkretisht kjo fazë e vështirë për tu përcaktuar.

Në ditën e premtimit se gjithçka ishte gati, mediat italiane shkruajnë se data e ngritjes së qendrës është shtyrë. Ndryshe nga hera e parë, kësaj radhe nuk ka as datë. Zbatimi i marrëveshjes shtyhet me disa javë.

“Shtyrje e re për hapjen e qendrave italiane të emigrantëve në Shqipëri. Duke vizituar vendin në qershor, Giorgia Meloni kishte treguar 1 gushtin si ditën e hyrjes në punë të strukturave. Por në realitet do të duhen ende disa javë që qendrat të aktivizohen, tha pak ditë më parë nënsekretari Alfredo Mantovano, duke shpjeguar se vonesat janë për shkak të ‘ngadalësimeve’ të punimeve”, njofton tgcom24

Ndërkohë po sot, Ambasadori italian në Tiranë, Fabrizzio Bucci inspektoi dy qendrat. Edhe ai nuk permendi afate. Bucci tha për mediat se puna po avancon dhe gjithçka do jetë gati brenda pak javëve.

"Nuk mund t’ju jap një datë të saktë, por ju them për pak javë. Siç po e shikoni këtu tashmë kanë ardhur nga Italia Policia e Shtetit, karabinierët, Guardia Di Finanza, personel nga Ministria e Drejtësisë, mjekë dhe infermierë nga Italia. I gjithë personeli që shërben për të funksionuar qendra. Bëhet fjalë për disa qindra persona”, tha ambasadori Bucci.

“Brenda pak javëve qendra do të fillojë të funksionojë.  Janë punët e fundit për t’u bërë. Siç e keni parë punët kanë ecur shumë mirë. Nëse nesër do të vinit sërish do të shikonit se puna avancon çdo ditë.

Është e vështirë të thuash një datë, bëhet fjalë për pak javë. Qendra do të hyjë në funksionim shpejt. Siç e patë më herët qendra në Shëngjin tashmë është totalisht gati. Por të dyja qendrat do të funksionojnë paralelisht. Në Shëngjin do të bëhen procedurat e para, pastaj këtu është akomodimi".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë