Analize

“E gjithë BE-ja dakort me kushtet gjermane ndaj Shqipërisë”

“Kushtet e vëna nga Gjermania për hapjen e negociatave me Shqipërinë janë mirëpritur nga shumica e vendeve anëtare". Ky ka qenë mesazhi i Ministrit të Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, vendi i të cilit mban edhe presidencën aktuale të Këshillit të BE-së, gjatë një vizite zyrtare sot në Tiranë.

I pyetur nga Gazeta Si, ai dha detaje për mundësinë e hapjes së negociatave me vendin tonë, duke thënë se vendimi i Bundestangut gjerman për një “po me kushte” për Shqipërinë ishte shprehur në mënyrë të përgjithshme edhe nga vendet e tjera të BE-së.

Në një konferencë me Ministrin në Detyrë për Evropën dhe Çështjet e Jashtme, Gent Cakaj, ministri finlandez u shpreh se pas vendimit të qeverisë gjermane, shumë vende anëtare po thonë se bisedimet me Tiranën dhe Shkupin “mund të fillojnë”.

Megjithatë i pyetur nga Gazeta Si nëse skenari për shkëputjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, e cila u kërkua nga vende si Franca dhe Holanda, është ende të tryezë, zoti Haavisto deklaroi se edhe nëse Shkupi dhe Tirana hapin njëkohësisht negociatat, nuk do të thotë së do të bëhen njëkohësisht pjesë e BE-së.

“Një pyetje mjaft me vend dhe interesante. Fjala ime e parë është se edhe nëse vendet i fillojnë njëherazi negociatat nuk do të thotë se do t’i përfundojnë në të njëjtën kohë. Të gjitha vendet janë pjesë e procesit në bazë të meritave të tyre. E dyta, ka të bëjë me atë që ndjeva unë përsa i takon Maqedonisë së Veriut. Ajo ka arritur një marrëveshje më Greqinë që është shumë unike, se ka të bëjë me identitetin dhe emrin e tyre. Për këtë qeveria edhe u kritikua. Ne në BE dhe në Finlandë gjithashtu mendojmë se marrëveshja është një shembull i shkëlqyer se edhe gjerat që janë historikisht komplekse mund të zgjidhen. Dhhe ky do të ishte model për të gjitha vendet në rajon. Ky ishte padyshim një hap pozitiv. Megjithatë, vendet po vijnë në këtë proces në bazë të meritave të tyre dhe komente të tilla sic ka bërë Bundestangu Gjerman për kushte të caktuara, janë të shprehura përgjithësisht në Europë përpara bisedimeve. Pra nuk shoqërohet në mënyrë automatikë njëri vend me tjetrin, thjesht ka ndodhur që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë në këtë moment dhe në këtë fazë ku shumë vende anëtare po thonë se bisedimet mund të fillojnë”, deklaroi Ministri Haavisto.

Ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto dhe Ministri Gent Cakaj, Gazeta Si, 2 tetor 2019

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Gazetës Si, Cakaj deklaroi nga ana tjetër se në qershor është kërkuar shkëputja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut por se kjo mundësi është hequr tanimë nga tryeza.

“Ju iu referuat disa vendeve skeptike që kanë kërkuar shkëputjen që në qershor, por une e di se bazuar në dokumentet që janë publike dhe strategjinë aktuale të zgjerimit, një proces i tillë nuk është në agjendë. Nëse vendimet e qershorit kanë pasur një vlerë të veçantë për Shqipërinë, kjo është për tre arsye: e para sepse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë trajtuar me të njëjtën gjuhë dhe më të njëjtin kriter, e dyta sepse Këshilli i BE-së ka bërë një vlerësim pozitiv për raportin e Komisionit Europian për të dyja vendet, gjë që nënkupton se nuk ka garanca objektive se negociata do të hapen por se ka një vendim paraprak pozitiv, gjë që edhe Shqipërinë edhe Maqedoninë e Veriut i vendos në një avantazh. Arsyeja e tretë është se pavarësisht vonesave, se përkundër vonesës janë marrë garancat se do të merret një vendim i saktë dhe thelbësor bazuar në meritat e secilit vend. Kështu që përpara se flasim për skenarë hipotetikë të ndarjes duhet të flasim për rrugëtimin e përbashkët deri në këtë pikë dhe të mobilizojmë përpjekjet tona për hapjen e negociatave me të dyja vendet”, deklaroi zotit Cakaj.

Ministri në Detyrë u pyet nga Gazeta Si edhe për takimin e zhvilluar mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut konservator grek, Qirikakos Mistotaqis, në Nju Jork, nëse qeveria shqiptare kishte marrë mbështetjen e Athinës për negociatat dhe rihapjen e dosjes së cështjeve të pazgjidhuram, por Cakaj iu referua këtij takimi si “konfidencial”.

“Referuar takimit në Nju Jork, mua nuk më takon të shpalos asnjë informacion të takimeve të brendshme ngaqë këto nuk korrespondojnë as me konfidecialitetin e nevojshëm të këtyre takimeve dhe as me sjelljen e nevojshme diplomatike pas atyre takimeve. Ajo që unë mund të konfirmoj është se qeveria nuk po i kursen përpjekjet për hapjen e negociatave”, u shpreh Ministri në Detyre.

Gjatë takimit të tyre të parë në Nju Jork, kryeministri Qiriakos Mistotaqis dhe homologu i tij shqiptar Edi Rama ranë dakord të mbajnë në një diskutim më të gjerë të marrëdhënieve bilaterale, në margjinat e Samitit Euro-Arabik në Athinë. Të dy kryeministrat diskutuan per marrëdhëniet dy paleshe dhe integrimin e Shqipërisë në BE në prag të Samiti të tetorit.
Ky takim do të mbahet pasi të jetë marrë vendimi për negociatat, më 29-30 tetor dhe duket se do të risjellë edhe rinisjen e dialogut të çështjeve të hapura dy-palëshe.

Nisja e diskutimet të çështjeve të hedhura në tavolinë ka të ngjarë të jetë një misioni i vështire si për Ramën ashtu edhe për Mitsotaqis, duke marrë parasysh se ky i fundit ka kërcënuar disa herë Shqipërinë me vendosjen e vetos për negociatat.

Franca i bashkëngjitet Gjermanisë?

Edhe pse vitin e kaluar presidenti Emmanuel Macron ishte ai që bllokoi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Franca pritet t’i bashkohet Gjermanisë, duke dhënë një “po” me kushte për vendin tonë.

Franca dhe Holanda do të japin qëndrimin e tyre për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut gjatë takimit të ambasadorëve të përhershëm të Bashkimit Europian në Bruksel.

Kryeministri Edi Rama flet me Presidentin Emmanuel Macron, Gazeta Si, 2 tetor 2019

Burime thotë se Parisi pritet bashkëngjitet qëndrimit gjerman për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe hapje të kushtëzuar të negociatave për Shqipërinë.

Takimi i së mërkurës i paraprin mbledhjes se ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian që zhvillohet në 15 Tetor në Luksemburg, ku do të merret edhe vendimi për të të dyja vendet.

Heshtja e deritanishme e Macron në lidhje me negociatat me vendin tonë mund të shprehe ndoshta edhe një pakt të heshtur mes Gjermanisë dhe Francës, të cilat mund të arritur tanimë një marrëveshje kur bie fjala për Shqipërinë.

Bashkëpunëtori i Lartë në Këshillin e Politikave të Demokratizimit në Berlin, Bodo Ëeber thotë se Gjermania dhe Franca kanë gjetur tanimë një zgjidhje të mesme kur bie fjala për Shqipërinë. Analisti bën të ditur se Merkel dhe Macron kanë arritur një pakt për një shkëputje të pjesshme, sipas të cilës Shqipërisë iu vendosen disa kushte.

Megjithatë, ndryshe nga Gjermania, Franca ka të ngjarë ti kërkojë Shqipërisë të bëjë më shumë për të frenuar radhët e gjata të emigrantëve.

Pasi vendosi nëntë kushte për të filluar negociatat me Shqipërinë, Ministria e Jashtme gjermane i ka bërë apel vendeve skeptike, si Danimarka, Franca dhe Holanda t’i bashkohen vendimit të saj dhe të mos bëhen pengesë për dy vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas raporteve, Gjermania po lobon me këto vende më radikale se ajo, me shpresën se kushtet e vëna mund të shërbejë si një garanci për t’i bindur ato. Franca nuk e ka bërë ende publik qëndrimin, por Holanda ka dalë kundër integrimi të vendit tonë.

Në komisionin për çështjet europiane të Parlamentit holandez,Ministri i Punëve të Jashtme, Stef Blok është shprehur, se nuk ka supriza lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë, pasi qëndrimi mbetet ai i verës. Ai i është referuar mocionit të aprovuar nga Parlamenti holandez në Qershor të këtij viti kundër hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Blok ka shtuar se Shqipëria do të hapë negociatat e anëtarësimit kur të përmbushë kushtet, ndërkohë që Maqedonia e Veriut duhet të vlerësohet në mënyrë të pavarur.

Nëse Holanda i qëndron, JO-së për Shqipërinë, atëherë Bashkimi Europian pritet të shkohet drejt ndarjes së vendimmarrjes për Maqedoninë e Veriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë