Ne rrjet

E enjtja pa Gridën në Kuvend

Nga Irena Beqiraj - E enjtja pa të në sallën e Kuvendit, do të jetë po aq e zakonshme sa ishte edhe me të!

Madeleine Albright thotë: “Politikës i duhen ato gra që mund të ngrenë çështje që të tjerët i lënë pas dore, që mbështesin ato ide që të tjerët i kundërshtojnë, që kërkojnë të ndryshojnë sistemet kur të tjerët i pranojnë".

Grida nuk qe kurrë e tillë, të paktën në këndvështrimin tim, por jo vetëm besoj.

Ajo më së shumti do të mbahet mend për interpretimet herë me ton e herë me lot, herë si koketë, e herë si Norë apo si burrneshë. 

LEXO EDHE:
- FOTOT/ Duma ikën si deputete, Gjekmarkaj pezmatohet, Flutura Açka ia plas së qari
- Grida Duma dorëhiqet si deputete: Mund të mbijetoja duke vegjetuar, por do bëj më shumë kudo që të jem, si figurë politike

Edhe brenda partisë së saj, ajo më së shumti ka zhurmuar ngultas duke u sjellë shpesh  si burrë klanesh, por kurrë si protagoniste ndryshimi.

Ajo ishte pjesë e klubit të grave të burrëruara të politikës, (i zgjeruar shumë tanimë nga të dy anët), ku as veshja, as bukuria, as modelet e flokëve, as gërshetat, as spilat në xhaketa, as perlat edhe as ndërhyrjet e dëshpëruara  estetike për të mbajtur të vetmen aparencë të adhurueshme që kanë, nuk i dallon nga burrat nën hijen e të cilëve lulëzuan.

Grida ishte përfaqësuese ekselente e "Politikës Ekspresive". Që prej  vitit 1993, Brennan dhe Lomasky, na tregojnë se në  ketë model politika ka lidhje kryesisht me stilin dhe historitë, jo me thelbin dhe faktet. 

Shkurtimisht; me këtë model ofrohet argëtim politik si nxitës i emocioneve individuale, ndërsa mungojnë tërësisht rezultatet politike, të cilat janë e mira publike që pritet.

Grida është një "showgirl".

Ndaj mos u hidhëroni. S’ka pse të derdhni lot e as pse të dëshpëroheni.

Në televizion padyshim do të jetë më e suksesshme. Uroj edhe më e vlefshme se në politikë.

E enjtja pa të në Kuvend do të jetë po aq e zakonshme, po aq rutinë, po aq e parëndësishme,  mashkullore e bezdisëse sa ishte edhe më të!

Asgjë nuk ndryshon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë