Gazeta Si – Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar sot se ka ndërprerë kontratën me Over Sport, që kishte të drejtën e transmetimit televiziv për dy nivelet kryesore të futbollit shqiptar, Superiores dhe Kategorisë së Parë, si dhe Kupën e Superkupën e Shqipërisë.
Shkak për mbylljen para kohe të bashkëpunimit, sipas FSHF-së, janë bërë shkeljet dhe mospërmbushja e detyrimeve kontraktore nga Over Sport. Janë shkelje të përsëritura që kanë sjellë në këtë vendim drastik.

“FSHF e ndjen për detyrim ndaj tifozëve dhe konsumatorëve në përgjithësi, të bëjë me dije këtë lajm, duke i garantuar se do të bëjë çdo përpjekje për të siguruar transmetim televiziv profesional dhe të ndershëm për aktivitetet e saj.
Federata Shqiptare e Futbollit do të nisë procedurat ligjore në lidhje me rivendosjen e dëmeve që ka shkaktuar shoqëria në fjalë për mospërmbushjen e detyrimeve që përcaktonte kontrata e firmosur mes palëve në fillim të sezonit të kaluar”, – shkruhet në njoftimin e FSHF-së.
Mbetet të shihet tani se kush do ta marrë të drejtën televizive sezonin e ardhshëm për ndeshjet e Superiores, që më parë janë transmetuar nga Supersport, kurse Kategoria e Parë është transmetuar nga RTSH.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




