Ekonomi

E drejta për t’u shkëputur, PE kërkon ligj të ri për të mbrojtur punonjësit nga shtëpia

Parlamenti Europian i ka kërkuar Komisionit që të hartojë një ligj të ri me synim mbrojtjen e punonjësve, duke pasur parasysh realitetin e krijuar nga pandemia e Covid-19, ku më shumë se një e treta e të punësuarve në vendet e Bashkimit Europian po punojnë nga shtëpia.

Synimi i ligjit të ri, sipas udhëzimeve të Parlamentit Europian, duhet të jetë vendosja e një kufiri të qartë ndarës mes jetës private dhe jetës profesionale të personave, nisur nga disa raporte dhe rastet e përsëritura dhe të shpeshtuara të denoncimeve të punonjësve për shkelje të të drejtave të tyre.

Ligjvënësit europianë thonë se legjislacioni i ri duhet të ndërtohet duke pasur në themel konceptin e së drejtës së një të punësuari, që e ushtron detyrën e tij online, për t’u shkëputur nga rrjeti/puna.

“Punëdhënësit nuk duhet t’u kërkojnë punëmarrësve që të jenë në gatishmëri përtej orarit të tyre të punës dhe kolegët duhet të përmbahen nga kontaktimi me kolegë të tjerë po për çështje pune. Vendet e BE-së duhet të sigurojnë që punonjësit, që mbrohen nga e drejta për t’u shkëputur, janë të mbrojtur nga viktimizimi, apo forma të tjera hakmarrëse dhe të hartojnë mekanizmat e nevojshme që të trajtojnë ankesat për shkelje të së drejtës për t’u shkëputur. Profesionet e mësimit dhe trajnimit në distancë duhet të llogariten si aktivitet pune dhe nuk duhet të mbahen përtej orareve maksimale të punës dhe pa kompensim”, udhëzon Parlamenti Europian.

PE thotë se në hartimin e legjislacionit të ri, Komisioni Europian duhet të ketë parasysh tre kritere. Së pari, që maksimumi i orëve të punës të mos jetë më i madh se 48 orë në javë, një minimum prej 11 orësh në ditë pushimi për të gjithë punonjësit dhe të paktën katër javë pushim vjetor me pagesë.

Eurodeputetët thonë se nisma e tyre është nxitur nga kushtet e reja të tregut të punës të shkaktuara nga pandemia.

“Megjithëse puna në distancë ka shpëtuar shumë vende pune dhe u ka mundësuar shumë bizneseve të mbijetojnë nga kriza e Covid-19, ajo gjithashtu ka shkrirë kufirin ndarës mes punës dhe jetës private. Shumë njerëz po punojnë përtej orareve zyrtare, duke përkeqësuar balancat e tyre mes punës dhe pushimit”, thotë PE.

Sipas Eurostat, kriza e pandemisë bëri që numri total i personave që punojnë nga shtëpia të shkojë në 37 për qind të të punësuarve totalë në Bashkimin Europian. 27 për qind e kësaj kategorie kanë deklaruar se janë detyruar që të punojnë përtej orarit të punës.

Mbi 300 milionë persona në mbarë botën vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, të shkaktuara nga puna.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë