Ka ndodhur

E dënuar me 13 vite burg në Itali për trafik droge, arrestohet 46-vjeçarja në Durrës

Gazeta Si – Një 46-vjeçare u arrestua në Durrës pas operacionit policor të koduar “Arachne”, e cila rezulton e dënuar nga drejtësia italiane me mbi 13 vite burg.

Në pranga ka rënë Edisnarda Shapka, e njohur edhe me emrin Edisnajda Shapka, banuese në Durrës. Ajo ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi është dënuar nga Gjykata e Apelit të Bolonjës, Itali, me 13 vjet e 6 muaj burg për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Ndaj 46-vjeçares, Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, në funksion të njohjes dhe ekzekutimit të vendimit të drejtësisë italiane.

Operacioni “Arachne” është pjesë e një sërë aksionesh të pandërprera të Policisë së Shtetit për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe për vendosjen përpara drejtësisë të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë