Gazeta Si – Lajm i bujshëm nga bota e motorçiklizmit: Suzuki do të tërhiqet nga Botërori në fund të sezonit. Suzuki ka fituar në 2020-ën një titull kampion për pilotë, që mungonte prej 20 vitesh. Vendimi ka befasuar pilotët Mir dhe Rins, si dhe shefin e skuadrës Livio Supo. Pritet që drejtuesit e Suzukit të shpërndajnë komunikatën zyrtare.
Lajmi doli nga ‘paddock’-u i Jerezit, kur dita e testeve kishte përfunduar dhe skuadrat po çmontonin bokset dhe po mbyllnin motorët në kasa për të nisur rrugën drejt Lë Manshit. Tërheqja e Suzukit në fund të sezonit ka rënë si ‘bombë’ dhe i ka tronditur të gjithë, veçanërisht pilotët Joan Mir dhe Aleks Rins. Të gjithë ata që punojnë për këtë skuadër janë shokuar, kur u është komunikuar lajmi gjatë një mbledhjeje kolektive të jashtëzakonshme.

Vetëm kur të publikohet komunikata zyrtare do të kuptohet se cilat janë arsyet që e çuan Suzukin në këtë vendim drastik. Nuk pritej kjo lamtumirë, aq më tepër duke ditur që dy vjet më parë Mir çoi në Japoni titullin që mungonte prej 20 vitesh. Këtë sezon ai dhe Rins janë në garë për vendet e para gjithmonë.
Lajmi u dha fillimisht nga siti ‘motosport.com’, ndërsa konfirmimi erdhi më pas nga pjesëtarët të ndryshëm të skuadrës. Është hera e dytë që Suzuki lë MotoGP-në. Herën e parë u tërhoq në 2012-ën dhe pastaj u rikthye në 2015-ën. Largimi i Suzukit do të ketë efekt edhe në merkaton e pilotëve, ku Mir dhe Rins duhet të gjejnë një skuadër tjetër. Për Mir është Honda destinacioni logjik, kurse për Rins situata është më e komplikuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




