Treg

E ardhmja e kriptomonedhave, një bombë me sahat

Nga Jemima Kelly* - A e mbani mend kur kriptomonedhat ishin rregulluar dhe kishin një monitorim të panevojshëm nga autoritetet saqë i gjithë tregu u përmbys në mënyrë spektakolare, ndërsa platformat nisën të shkatërroheshin të gjitha?

Jo! As unë! Sepse kjo nuk ka ndodhur kurrë. Hera e fundit që tregu i kriptomonedhave u shemb, në vitet 2021-‘22, nuk kishte të bënte me industrinë që ishte shumë e kontrolluar nga rregullatorët, por e kundërta. Ishte pikërisht për shkak të mungesës së mbikëqyrjes rregullatore në të ashtuquajturën “kripto-hapësirë”, ku baronët e këtij sektori menduan se kishin të drejtë të luanin me paratë e të tjerëve sikur në lojën Monopol.

Ishin boshllëqet e mëdha në rregulloret për rrezikun, levën financiare dhe transparencën, të cilat u shfrytëzuan dhe që përfunduan duke çuar në kolaps shumë projekte të kriptovalutave, ndërsa tregu u kthente shpinën. Dhe, ishte mungesa e mbrojtjes së konsumatorit – dhe njohjes së rreziqeve të përfshira – që bëri që kaq shumë investitorë të zakonshëm të humbnin kursimet e jetës (natyrisht, shumica e baronëve të kriptos ishin të sigurt, sepse dinin të bënin më mirë sesa të investonin të gjitha paratë në kriptovalutë).

E, megjithatë, ideja se ajo që nevojitet është më pak rregullim, se kriptoja është trajtuar në mënyrë të padrejtë dhe se duhet thjesht të pranohet si pjesë e padëmshme e sistemit financiar, është ajo që tani po promovohet në mënyrë të qartë nga industria e kriptomonedhave dhe nga mbështetësit e saj.

“Fshije CFPB-në. Ka shumë agjenci rregullatore që dublifikohen”, shkroi Elon Musk – një njeri kaq i përfshirë në botën e internetit saqë mendon konceptin e “fshirjes” së një agjencie qeveritare – në platformën e tij X të mërkurën. Musku po i referohej Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorit Financiar [CFPB], një agjenci mbikëqyrëse e ShBA-së që synon të mbrojë amerikanët nga sjelljet grabitqare që çuan në kolapsin e fundit të kriptovalutave.

Nuk është për t’u habitur që bota e kriptovalutave ka qenë në një gjendje euforie që nga fitorja e Donald Trumpit në zgjedhje, i cili, pasi dikur e quajti industrinë një “mashtrim”, më pas e paraqiti veten si “presidenti i kriptos” dhe premtoi ta bënte Amerikën “kryeqytetin e kriptovalutave në planet”. Çmimet e kriptovalutave u rritën ndjeshëm nga pritshmëritë që Trumpi mund të fitonte, ndërsa u rritën edhe më tej kur u bë e qartë se ai fitoi. Bitcoin-i është rritur me rreth 2/5 që nga zgjedhjet, duke arritur në rekorde të reja pranë 100 mijë dollarëve. Vlera totale e tregut kripto, një metrikë e dyshimtë, por e vetmja e disponueshme – ka arritur në më shumë se një trilion dollarë.

Ndërkohë, “meme-monedha” e preferuar e Muskut, Dogecoin, ka tejkaluar Bitcoin për nga fitimet, duke u rritur me 150% që nga zgjedhjet. Pse? Sepse Doge  është akronimi i departamentit të ri të “efikasitetit të qeverisë” që Musk pritet të drejtojë. A është kjo thjesht krejtësisht qesharake apo tmerrësisht e zymtë? Besoj se varet nga ju.

Duket se Trumpi do t’i mbajë premtimet e tij ndaj kripto-botës dhe se më shumë se 100 milionë dollarë që lobi i kriptovalutave shpenzoi për zgjedhjet në ShBA – të cilat përbënin pothuajse gjysmën e të gjitha shpenzimeve të korporatave – po shpërblehen me të madhe. Javën e kaluar u raportua se Trumpi po konsultohet me industrinë e kriptovalutave se cilin duhet të emërojë si kryetar të ardhshëm të Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbim ,SEC. (Kryetari aktual, kritiku i kriptovalutave, Gary Gensler, ka thënë se ai do të tërhiqet para se presidenti i 45-të të bëhet i 47-i, pasi Trump tha – në një konferencë për Bitcoin – se do ta pushonte atë që ditën e parë të presidencës së tij.)

Përveç mbështetjes së madhe që titanët multimiliarderë të industrisë së kriptovalutave po i japin, Trumpi ka interesa personale financiare edhe në kripto – siç është sipërmarrja e djemve të tij, Ëorld Liberty Financial.

Asnjë nga këto nuk duhet të na bëjë të besojmë se Trumpi me të vërtetë do të angazhohet për të mbajtur premtimet e veta. Por, duhet të na shqetësojë. Në të kaluarën jam shmangur nga diskutimet për kripton si një “rrezik ndaj sistemit”, sepse ka qenë relativisht i vogël dhe kaq i shkëputur nga pjesa tjetër e sistemit financiar. Por, kjo po ndryshon. Pas miratimit të SEC-ut për shkëmbimet në Bitcoin në fillim të këtij viti, kriptovaluta është bërë shumë më e lidhur me pjesën tjetër të sistemit financiar. Dhe, shifrat janë të mëdha: ETF-ja ([Fondi i Tregtueshëm në Bursë) e Bitcoin-it, e lansuar kohëve të fundit nga [kompania amerikane e investimeve] BlackRock, ka arritur tashmë në një vlerë të mahnitshme prej 48 miliardë dollarësh.

Martin Walker, studiues i vlerësuar në Shkollën e Biznesit në Uorik, është i shqetësuar se rregullatorët nuk janë në gjendje të vazhdojnë tutje. “Një gjë që historia na mëson për krizat financiare, është se rreziku gjithmonë rritet dhe më pas shpërthen në zonat ku rregullatorët nuk duket se i presin kurrë”, më thotë ai.

“Gabimet në sistemin financiar nuk janë gjithmonë të dukshme … Financat e kriptovalutave janë kaq të mëdha tani saqë me siguri do të paraqesin makro-rreziqe (trazira politike, sociale ose ekonomike që dëmtojnë bizneset që operojnë brenda një vendi) … që janë edhe të rrezikshme dhe pak të kuptueshme”.

Ironikisht, ata që po bëjnë presion për çrregullimin e kriptos kanë më shumë gjasa të sjellin kolapsin e tij të ardhshëm. Por, herën tjetër, mund të mos jetë vetëm kripto ajo që do të digjet.

*Burimi: FinancialTime/ Jemima Kelly, redaktore e artikujve mbi financën dhe teknologjinë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë