Kontrata e Elseid Hysajt me Napolin skadon në qershor të këtij viti, por që prej ditës së djeshme, mbrojtësi shkodran i Kombëtares Shqiptare ka fituar të drejtën për të nënshkruar me cilin klub të dojë, për sezonin e ardhshëm.
Menaxheri i mbrojtësit të Kombëtares ka folur për “Radio Punto Nuovo”, ku thekson se dëshira e klientit të tij është të qëndrojë në Napoli, por në të njëjtën kohë ka oferta të rëndësishme nga jashtë. Mario Giuffredi shton se gjithçka e ka në dorë klubi, pasi nëse tregohet i gatshëm për të kontratën e re, atëherë Hysaj nuk do ta ketë problem të hedhë firmën e tij.
“E sigurt është që do ta mbyllë këtë sezon me Napolin, më pas të shohim se çfarë do të ndodhë. Ka 51% mundësi që të rinovojë me Napolin, pasi ai dëshiron të qëndrojë, por drejtuesit e klubit i kanë në tavolinë kërkesat tona. Nëse te Napoli zgjohen nesër dhe vendosin të rinovojnë, atëherë do ta bëjmë. Megjithatë nuk jemi të shqetësuar, pasi kemi oferta edhe nga jashtë”, deklaroi Giuffredi.
Napoli pagoi 5 milionë euro në verën e 2015-ës për ta transferuar nga klubi i Empolit, ndërsa në 5 sezone e gjysmë, Hysaj numëron 199 ndeshje me fanellën e kaltër dhe vetëm një gol të shënuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




