Nga Gazeta ‘Si’– Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar ndaj pretendimeve të Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, sipas të cilave Serbia vazhdon t’i dërgojë armatim Ukrainës përmes vendeve ndërmjetëse, pavarësisht pozicionit të saj zyrtar si neutrale në konfliktin Rusi–Ukrainë.
Në një deklaratë publike, Vuçiç bëri të ditur se ka biseduar drejtpërdrejt me presidentin rus, Vladimir Putin, për këtë çështje.
“Edhe në prani të disa personave nga të dy delegacionet, por edhe në bisedë kokë më kokë. Kemi formuar një grup pune së bashku me partnerët rusë për të shqyrtuar faktet. Disa nga gjërat që janë thënë nuk janë të vërteta. Për shembull, ata përmendin një kontratë me Çekinë, por nuk është dhënë leje dhe asnjë raketë nuk është dorëzuar,” tha Vuçiç.
SVR pretendon se Serbia po përdor një skemë të thjeshtë me certifikata të rreme të përdoruesit përfundimtar dhe vende të treta ndërmjetëse për të dërguar armë në Ukrainë, duke theksuar se kjo bie ndesh me qëndrimin tradicional të miqësisë midis dy vendeve.
“Ju kemi ndihmuar në momentet më të vështira, kujtojeni Kosovën,” shkruan SVR në reagimin e saj zyrtar, duke shfaqur zhgënjimin e Moskës.
Presidenti serb, nga ana tjetër, theksoi rëndësinë e industrisë ushtarake për ekonominë vendase.
“Fabrikat tona duhet të funksionojnë. Rreth 24 mijë njerëz punojnë drejtpërdrejt në industrinë ushtarake dhe varen prej saj. Aktualisht, armët po i prodhojmë për nevojat e ushtrisë sonë,” shtoi ai.
Vuçiç hodhi poshtë çdo pretendim se Serbia ka ndërruar qëndrim ose aleanca.
“Ata që më parë më akuzonin si spiun rus, tani thonë se kam ndërruar anë. Jo, zotërinj, ne punojmë vetëm për Serbinë,” përfundoi presidenti serb.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.