Nga Gazeta ‘Si’- Që kur Gjykata e Apelit vendosi në mënyrë përfundimtare së vula e Partisë Demokratike i takon Sali Berishës, Lulzim Basha bëri një deklaratë: grupimi që ai përfaqësonte do të merrte pjesë në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, edhe pse nuk kishte ende një parti, por, njëkohësisht, Basha do të ishte i investuar në një proces në Gjykatën e Lartë për të rimarrë vulën e Partisë Demokratike.
Një pozicion tipik i Lulzim Bashës, që nuk merr vendime përfundimtare për një çështje të caktuar dhe krijon pakënaqësi në disa drejtime njëherësh. Ky qëndrim i kushtoi ndarjen me grupimin e Enkelejd Alibeajt, i cili krijoi një parti të re, të cilën Basha refuzon sot e kësaj ditë t’i japë autorësinë.
Edhe në zgjedhje, edhe në gjyq
Edhe tani, Lulzim Basha po përdor emrin e një partie tjetër dhe emrin e një besniku si kryetar të kësaj partie për të marrë pjesë në zgjedhje. Një ditë para mbarimit të afatit për regjistrimin e partive politike, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u regjistrua Patia Koalicioni Euroatlantik, me kryetar Endri Hasa, ish-deputet i PD-së dhe, ndër pak ish-drejtues të PD-së që qëndroi në krah të Lulzim Bashës, edhe pas ndarjes më të fundit me Enkelejd Alibeajn.
Në një prononcim për Gazetasi.al, Endri Hasa nuk pranon se Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij janë anëtarë të Partisë Koalicioni Euroatlantik, por konfirmoi se do të hyjnë në zgjedhje me logon e kësaj partie. “Beteja që ka Lulzim Basha vazhdon në Gjykatën e Lartë.
Lulzim Basha vazhdon të kërkojë legjitimitetin për përfaqësimin e PD-së. Në këtë kuadër, mund t’ju konfirmoj se do të jetë kandidat i partisë sime në Tiranë, ndërsa unë do të jem në Elbasan”- u shpreh Endri Hasa nga pozicioni i Kryetarit të Partisë Koalicioni Euroatlantik, një emër që ngjan me atë të grupimit të zotit Basha, por që edhe zoti Hasa nuk pranon se janë e njëjta gjë.
“Grupimi i zotit Basha “Demokratët Euroatlantikë” kanë bërë koalicion me mua, por ata vazhdojnë betejën ligjore. Më pëlqen mua apo jo, ata nuk janë pjesë e partisë sime, por përfaqësojnë grupimin e vet politik, atë të Demokratëve Euratlantikë.”- tha Endri Hasa për Gazetasi.al në një përpjekje për të mos identifikuar ligjërisht zotin Basha me përkatësi politike në një parti tjetër. Sipas Kodit Zgjedhor, koalicionet në zgjedhje bëhen mes partive të regjistruara në gjykatë dhe jo mes grupimeve politike.

Parti e re, adresë e vjetër
Por kjo nuk është e vetmja pikë ku cedon akrobacia proceduriale që zoti Basha të mos identifikohet me një parti tjetër ndërkohë që është në një proces gjyqësor të hapur në Gjykatë e Lartë për vulën e Partsë Demokratike. Të gjitha të dhënat tregojnë se ai i ka huazuar emrin e tij sipërmarrjes elektorale të Lulzim Bashës. Megjithëse zyrtarisht zoti Basha nuk është anëtar i kësaj partie dhe në parlament vazhdon të jetë anëtar i grupit parlamentar të PD-së, Endri Hasa, nuk u përpoq ta përgënjeshtrojë këtë arsyetim, kur shpjegoi për Gazetasi.al rolin e Bashës.
“Kjo është vazhdimësi e filozofisë që çështja për PD do të vazhdojë në gjykatë, por, njëkohësisht, ne të jemi alternativë në zgjedhje. Pra, është nje instrument ligjor për të përfaqësuar alternativën në zgjedhje.”- tha ai, duke pohuar edhe një vëzhgim tjetër që e lidh këtë parti direct me zotin Basha, adresën e selisë së partisë. Në kërkesën zyrtare të dorëzuar në KQZ, selia e partisë me kryetar Endri Hasën, ndodhet në të njëjtën adresë me zyrat ku zoti Basha ushtron çdo ditë aktivitetin politik. “Po, është e njëjta adresë, sepse unë do të përfaqësoj atë alternativë në zgjedhje, ndërkohë që bëmë një zgjidhje proceduriale dhe teknike për këto zgjdhje, për shkak të situatës, pasi çështja është akoma e hapur në Gjykatë”- pohoi Endri Hasa për Gazetasi.al.
Partia e huazuar
Partia me të cilën Lulzim Basha do të marrë pjesë në zgjedhje nuk është një parti e rregjistruar rishtazi në rregjistrin e pative politike. Përpara se në Gjykatën e Tiranës, të ndryshonte emri i partisë, i Kryetarit dhe i selisë, kjo parti ka qenë e rregjistruar me emrin Partia Kombëtare Konservatore Albania, me kryetar Bashkim Murati. Ai nuk është i njohur në skenën politike, por njihet si aleat i Lulzim Bashës.
Në vitin 2019, kur opozita dogji mandatet e deputetëve, refuzoi të zërë vend në Parlament sipas listës plotësuese. Nuk dihet me çfarë marrëveshje është bërë ndryshimi i të dhënave të partisë, por publikisht nuk ka patur ndonjë njoftim për mbledhje forumesh nga Partia Konservatore.
Mesa duket, një ndryshim emrash në Gjykatë është parë si rruga më e shkurtër për të mos u invstuar në një parti të re, për rregjistrimin e së cilës duhen të paktën tre mijë firma zgjedhësish. Aktualisht, në Gjykatën e Tiranës janë të rregjistruara 131 parti politike dhe, sipas një auditi të KQZ-së, 80% e tyre ekzistojnë vetëm në letër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



