Drejtësia

Dyshohet si spiune, Rusia i kërkon Shqipërisë ekstradimin e Svetlana Timofeeva-s

Gazeta Si - Rusia i ka kërkuar Shqipërisë ekstradimin e 33-vjeçares Svetlana Timofoeeva e arrestuar në uzinën e armëve në Gramsh në gusht të këtij viti, e akuzuar për spiunazh së bashku me një tjetër rus dhe një ukrainas.

Sipas burimeve paraprake, javën e shkuar, Ministrisë së Drejtësisë i ka mbërritur kërkesa ekstradimit, kaluar më pas për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Përgjithshme. Kërkesën e ekstradimit të Rusisë do ta shqyrtojë në javët e ardhshme Gjykata e Elbasanit.

Rusia gjithashtu pretendon se ka një çështje hetimore për Timofoeeva-n për mbledhje të të dhënave sensitive.

Lajmi që shtetasja ruse ishte në kërkim dhe në vendlindjen e saj, u raportua disa ditë pasi arrestimit të saj në Shqipëri.

Timofoeeva deri më tani përballë grupit hetimor ka thënë se ajo është thjesht një blogere dhe jo spiune, siç dyshohet nga autoritetet shqiptare.

Dy rusët  Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33-vjeç dhe ukrainasi Fedir Alpatov, 25 vjeç mbahen në burg që prej datës 20 gusht, kur dhe ndodhi incidenti në uzinën e Gramshit.

Mikhail Zorin u konfiktua me 2 ushtarët shqiptarë që e pikasën, Albi Bici dhe Ardian Xhaka, ndërsa Svetlana Timofoeeva dhe ukrainasi po qëndronin në një makinë “Chevrolet camaro” me targa ukrainase AX 6200 IP.

Me dyshimin se tre miqtë, gjendeshin në Shqipëri me detyrën për të kryer spiunazh, grupi i hetimit ka prova të forta se ata kanë fotografuar dhe baza të tjera ushtarake në gusht.

Të tre të arrestuarit e kësaj ngjarje vijojnë të jenë në burg me masën, e dhënë nga Gjykata e Elbasanit “arrest me burg” lënë në fuqi edhe nga Apeli Durrësit me 20 shtator.

Të tre u vunë në pranga dhe akuzohen për “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim.

Svetlana Timofoeeva, mbahet në burgun e grave të Tiranë, por për një periudhë tre mujore ajo ka qëndruar në spitalin e burgut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë