Nga Gazeta ‘SI’ – Pas një operacioni të gjerë kërkimi që zgjati rreth 5 orë, ku u përdor edhe droni, Policia e Vlorës ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes që ndodhi mbrëmjen e djeshme, 1 nëntor, në fshatin Gjorm të Selenicës.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:00, në rrugën përpara banesës së autorit, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, 32-vjeçari Bertil Alliaj, dyshohet se vrau me armë zjarri kushëririn e tij, Dalan Alliaj., 36 vjeç, banues në Fier.
Sipas njoftimit zyrtar, pas marrjes së informacionit nga familjarët se viktima ishte gjetur pa shenja jete, Policia e Vlorës, në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit, ngriti një grup hetimor të përbërë nga specialistë të Hetimit të Krimeve ndaj Personit dhe ekspertë kriminalistikë, të cilët punuan për zbardhjen e ngjarjes.
Autori i dyshuar u kap rreth orës 01:05 të mëngjesit, në zonën malore përreth fshatit Gjorm, ku ishte fshehur pas krimit. Gjatë kontrollit fizik të tij, policia i sekuestroi një armë zjarri pistoletë “Beretta FS92”, së bashku me një krehër dhe 10 fishekë, të dyshuar si arma e përdorur në krim.
Në vendin e ngjarjes u gjetën gjithashtu 6 gëzhoja dhe një predhë arme zjarri, të cilat u sekuestruan si prova materiale.
Hetimet zbuluan se B.A., ishte person në kërkim me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar me 35 vite burg me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, datë 20.01.2016, për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Viktima mësohet se është djali i xhaxhait të autorit të dyshuar, që ishte përfshirë në një ngjarje në vitin 2015, në atë që njihet si “masakra e Çoles”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



