Ka ndodhur

Dyshohet se u kap me kokainë, arrestohet në Sarandë kandidati për deputet i ‘Shqipëria Bëhet’

Gazeta Si – Katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, kandidati për deputet në qarkun e Vlorës për koalicionin “Nisma-Shqipëria Bëhet”, Ergys Isufi, është arrestuar këtë të mërkurë në Sarandë.

Sipas burimeve paraprake, dyshohet se Isufi është kapur në flagrancë nga policia, pasi iu gjet një sasi lënde narkotike e llojit kokainë.

Fillimisht, ai ka tentuar të largohet, por forcat e rendit kanë mundur ta kapin dhe ta arrestojnë. Ai u ndalua teksa udhëtonte së bashku me një person tjetër të mitur nga Saranda drejt Borshit, aty ku edhe do të kishte një miting elektoral dhe më tej do të nisej në Tiranë për të marrë pjesë në takimin përmbyllës të fushatës që do të mbajë nesër “Nisma-Shqipëria Bëhet”.

Kandidati i “Nisma-Shqipëria Bëhet” vijon të qëndrojë në Komisariatin e Sarandës, ku ka dhënë edhe deklarimin e tij.

Burime nga policia thonë se janë ushtruar kontrolle edhe në banesën e Ergys Isufit, por nuk është gjetur asgjë e jashtëligjshme.

Gjithnjë sipas burimeve, kokaina është gjetur gjatë kontrollit fizik ose gjatë kontrollit të automjetit. Aktualisht ai ndodhet i ndaluar në Komisariatin e Sarandës, ndërsa arrestimi nuk është bërë ende publik nga policia, e cila pritet të dalë me një njoftim zyrtar.

Arrestimi i kandidatit vjen vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Isufi është kandidati i Adratik Lapajt dhe kandidon në listë të hapur në këto zgjedhje.

Në prezantimin e bërë nga partia “Shqipëria Bëhet” për këtë kandidat, thuhet se Ergys Isufi, është inxhinier elektrik me eksperiencë në menaxhimin e projekteve të mëdha infrastrukturore dhe energjetike brenda dhe jashtë vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë