Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka liruar nga burgu Xhulio Vuksanin, personi i vetëm që mbahej i arrestuar për masakrën e Dobraçit, nën dyshimin se siguroi automjetin tip “Range Rover” që u përdor nga autorët e dyshuar.
Vendimi u dha nga gjyqytari i Posaçëm Erjon Çela, i cili pranoi kërkesën e SPAK për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.
Vuksani u arrestua nëntorin e vitit të kaluar me urdhër të prokurores Elida Kackini, si person i përfshirë në masakrën e Dobraçit, ku u ekzekutuan Arlind Bushati dhe Hamza Lici, si dhe humbën jetën cifti i bashkëshortëve, Bashkim dhe Flutura Basha.
Ngjarja e rëndë ndodhi në 30 tetor 2024 në zonën e Dobraçit, ku persona të paidentifikuar qëlluan nga një automjet drejt makinës ku udhëtonin dy të rinjtë, Hamza Lici dhe Arlind Bushati.
Nga breshëria e plumbave, automjeti ku udhëtonin dy viktimat humbi kontrollin, për pasojë u përplas me një motor ku udhëtonin Flutura dhe Bashkim Basha, të cilët nuk kishin lidhje me ngjarjen.
Në automjetin e viktimave, dyshohet se ndodhej një person i tretë, i ulur në sedilen e pasme, por prokuroria nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë dyshim.
Pasi prokuroria e Shkodrës nisi hetimet për këtë çështje, pak ditë më pas shpalli moskompetencë duke ia referuar dosjen SPAK-ut për grup të strukturuar kriminal
Pas ngjarjes u arrestuar edhe 4 policë, me dyshimet se shpërdoruan detyrën duke mos kryer shoqërimin e personave të gjetur në vendin e ngjarjes pas atentatit.
Por pak ditë më pas, masa ndaj tyre u zbut, nga “arrest në burg” në “detyrim për t’u paraqitur” dhe “ndalim dalje jashtë shtetit”.
Policët u akuzuan, pasi nuk kanë respektuar procedurën standarde të sigurimit të vendit të ngjarjes, si dhe nuk kanë identifikuar personat e gjetur në vendin e ngjarjes.
Gjithashtu ata do të qëndrojnë të pezulluar nga detyra në sektorin e “Shqiponjave” deri në një vendim të Gjykatës për këtë çështje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.