Gazeta Si – Dy persona janë ndaluar dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi dyshohet se lejuan shtrimin e rrugëve në Belsh gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit.
Sipas organit të akuzës në Elbasan, veprimet janë kryer në mungesë projekti zyrtar dhe pa procedura të rregullta ligjore.
Sipas njoftimit zyrtar, dy personat e ndaluar janë punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë Belsh, Fation Muça dhe Lorenc Hoxha, pasi dyshohet se kanë lejuar subjektin privat “V.H” shpk të kryejë shtrimin e rrugëve në mënyrë të jashtëligjshme.
Ndërsa në kërkim janë shpallur administratorët e subjektit, Besnik Hysa e Dhiogjen Kristo. Hetimet janë përqendruar në dyshimet se ndërhyrjet infrastrukturore janë bërë për qëllime elektorale, me synimin për të ndikuar votuesit në zonë pak ditë para zgjedhjeve.
Shkeljet e evidentuara përfshijnë mungesën e dokumentacionit teknik, të projekteve të miratuara dhe procedurave të tenderimit.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbuluar nëse ka edhe zyrtarë të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të dyshuar, që mund të përbëjë abuzim me detyrën dhe përdorim të burimeve publike për përfitime politike.
“Nga ana e subjektit “V.H.” shpk është kryer vepra penale e “Ndërtimit të paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/3 i Kodit Penal. Sa më sipër në datë 10.05.2025 nga Prokurori i çështjes është urdhëruar ndalimi i të dyshuarve për shtetasit Fation Muça, Lorenc Hoxha, Dhiogjen Kristo dhe Besnik Hysa. Nga policia gjyqësore është ekzekutuar ndalimi për dy shtetas, janë ushtruar kontrolle vendesh si dhe është bërë shpallja në kërkim e dy shtetasve Dhiogjen Kristo dhe Besnik Hysa”, – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Elbasan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.