Gazeta Si – Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, ka dëshmuar për 4 orë në SPAK, pasi është nën hetim mbi dyshimet se ka ndikuar për të penguar veprimet hetimore ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.
Ajo hyri në SPAK në orën 12:00 dhe doli në 16:00, por për mediat refuzoi të fliste, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve duke thënë: “Nuk kam asnjë koment”.
Jo më shumë sesa klientja e tij foli avokati Henrik Ligori, i cili tha: “Nuk na komunikuan. Jo s’ka akuzë. Nuk ka akuzë dhe nuk ka komente”.

Në deklaratën e SPAK pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, tërhoqi vëmendje mes të tjerave edhe përfshirja në këtë çështje e deputetes socialiste, Kryetare e Komisionit të Ligjeve në Kuvend.
Ajo është vënë nën hetim me dyshimet se ka qenë e përfshirë në veprime aktive në një fushatë për frikësimin e dëshmitarëve, helmimin e provave dhe pengimin e hetimit në dhjetor të vitit të kaluar dhe në janar të këtij viti.
Pas arrestimit të kryebashkiakut, demokratët kërkuan largimin e Bushkës nga kryesimi i Komisionit të Ligjeve.
Bushka pati një reagim gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS, ku u shpreh se nuk kishte kryer asnjë vepër penale dhe se dëshmitaren, Ina Goxhaj e ka kushërirë. Deputetja deklaroi se e vetmja gjë që kishte bërë ishte mbështetja e Xoxës dhe Veliajt gjatë kësaj periudhe.
Në dosjen qindra faqëshe të GJKKO-së, Bushka thuhet se ka ndërhyrë për të penguar hetimet e SPAK, duke intimiduar dëshmitarë dhe duke u marrë telefonat që të mos i dorëzonin në SPAK.
Sipas SPAK, Bushka kishte tentuar të manipulonte dëshminë e Ina Goxhajt, e cila ishte vënë fiktivisht në krye të kompanisë BYL-A edhe pse ajo kontrollohej nga Bushka dhe më pas nga Ajola Xoxa.
Pas thirrjes së saj nga SPAK, Goxhaj tregoi për një përpjekje të koordinuar për të ndikuar deklarimet e saj si dhe për të fshehur faktet gjatë hetimit.
Ajo tregoi se ishte takuar disa herë me Bushkën, Xoxën dhe disa avokatë, të cilët e kishin udhëzuar atë që të mohonte gjithçka si dhe të fshihte faktet.
Sipas dosjes hetimore, në njërin prej takimeve në shtëpinë e prindërve të Bushkës, kjo e fundit e kishte urdhëruar “që të mohonte gjithçka” gjatë pyetjes.
Shqetësimi i saj lidhej gjithashtu me adresën e “BYL-A”-s, që sipas deklarueses, nuk duhej të dilte që ishte shtëpia e saj.
Në një takim të dytë në një zyrë avokatore, Ajola Xoxa i kërkoi Goxhajt që t’i dorëzonte telefonin dhe më pas e ka kontrolluar atë në lidhje me bisedat që kishte – biseda që e kanë shqetësuar.
Goxhaj deklaron se Ajola Xoxa i kishte sjellë një telefon të ri të markës “Iphone 12” dhe i ka thënë se telefonin e saj “Samsung A35” do ta asgjësonin.
Prokuroria e Posaçme po e heton kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka për kryerjen e veprimeve me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës teksa ajo i mohoi këto akuza. Mesa duket Bushka vijon koordinimin për çështjen Veliaj.
Në përditësim…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



