Gazeta Si – Biznesmeni shqiptar Shaban Hersi është marrë si i pandehur nga Prokuroria e Durrësit me akuzën e pastrimit të parave në shuma të mëdha.
Sipas hetimeve, dyshohet se ai ka pastruar llogaritë e një shtetasi italian, i cili thuhet se ka lidhje me mafien.
Hetimet e prokurorisë lindën pas disa transaksioneve të dyshimta bankare në llogaritë e Hersit.
Një shumë prej 145.072 eurosh, është sekuestruar në llogarinë bankare të subjektit Shaban Hersi, vlerë kjo që dyshohet se rrjedh nga aktiviteti kriminal.
Ai e paraqiste shumën sikur kjo ishte pjesë e pagesës së faturave për shërbime të pakryera, apo investimit që do të kryhej nga një kompani italiane.
Ai dyshohet se e ka kryer këtë vepër nëpërmjet transferimit pjesë-pjesë të parave, produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale dhe posedimit apo fitimit te pronësisë mbi to.
Këtë veprim e ka kryer me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të parave, duke e paraqitur si te ishte pjese e shitjes së kolektorëve për energjinë diellore efikase për prodhimin e ujit të ngrohtë sanitar, më pas e paraqiste si shërbim konsulence dhe në fund si pagesë qiraje për një sipërfaqe toke.
Të përfshirë në këtë vepër penale, janë dhe dy shtetas të tjerë, një italian dhe një shqiptar. Shtetasi italian G.G., rezulton me dy vendlindje të ndryshme në Itali dhe i proceduar për vepra të ndryshme, si dhe shtetasi A.Sh.
Të dy janë persona të dyshuar për aktivitete kriminale në fushën e bashkëpunimit të jashtëm në organizatë mafioze, krime në fushën e financave, si dhe me tendencën e trafikimit të lëndëve narkotike, aktivitete këto të cilat gjenerojnë të ardhura te konsiderueshme kriminale.
Këta shtetas dyshohet se të paktën kishin në dispozicion një shumë prej 600.000 euro, si të ardhura nga aktiviteti kriminal.
Për këtë qëllim, Shaban Hersi ka marrë përsipër që këtë shume parash ta transferoje nga Italia në Shqipëri, duke e paraqitur sikur kjo është pjesë e investimit që do të kryente kompania italiane me administrator shtetasin G.G., kompani e cila në fakt nuk kishte lidhje me këtë person, por i përkise një tjetër shtetasi italian, që nuk kishte asnjë dijeni me kontratën e paraqitur.
Dyshimet e prokurorisë u përforcuan edhe më shumë, pasi mori informacione se për Hersin ka dyshime për trafik droge e mashtrim kompjuterik.
“Shtetasi italian G.G si dhe shtetasi A.Sh. janë persona të dyshuar për aktivitete kriminale në fushën bashkëpunimit të jashtëm në shoqatë mafioze, krime në fushën e financave si dhe me tendencën e trafikimit të lëndëve narkotike, aktivitete këto të cilat gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme kriminale. Këta shtetas dyshohet se të paktën kishin në dispozicion një shumë prej 600.000 euro, si të ardhura nga aktiviteti kriminal. Për ketë qellim, shtetasi Sh.H, ka marrë përsipër që ketë shumë parash ta transferojë nga Italia në Republikën e Shqipërisë, duke e paraqitur sikur kjo është pjese e investimit që do të kryeje shoqëria italiane “YYYYYY” SRLS, me administrator shtetasin G.G., kompani e cila në realitet nuk kishte lidhje me këtë person, por i përket shtetasit italian N. L. S. R., i cili nuk kishte asnjë lloj dijenie në lidhje me këtë kontratë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Durrësit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




