Gazeta Si – Ish-agjenti i forcave Operacionale të Policisë së Shtetit, Jeton Lami është lënë në burg, pasi akuzohet se ka ndihmuar të shumëkërkuarin Ervis Martinaj.
Gjykata e Kurbinit ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për njohjen e masës së sigurisë ndaj 28-vjeçarit.
Ai u arrestua me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi dyshohet se ka përkrahur dhe transportuar me makinë biznesmenin 40-vjeçar pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.
Avokati i tij Gentian Rumano, është shprehur se do të ankimojë vendimin. “Qëndrimi ynë ka qenë vetëm për kushtet e sigurimit dhe dhënies së masës. Lidhur me rrethanat e tjera do dalin gjatë hetimit të ccështjes . Nuk ka dhënë asnjë shpjegim deri tani. Ne e konsiderojmë të papërshtatshme faktin që do qëndrojë në arrest me burg dhe do e ankimojmë. Janë rrethana të paqarta”- u shpreh avokati mbrojtës i të pandehurit.
Lami u zbulua pas hetimeve që po kryen policia për zhdukjen e dyshuar të Martinajt pas denoncimit të familjarëve se kanë humbur prej disa kohësh çdo kontakt me të. I riu, ndihmës-specialist në skuadrën Operacionale, u ndalua mbrëmjen e 23 gushtit 2022 në Tiranë.
Lami ishte thirrur në zyrë nga eprorët e tij, të cilët e kanë pyetur nëse është shoqëruar ndonjëherë me biznesmenin nga Burreli.
Pasi e ka mohuar një gjë të tillë, Lamit i është treguar një video ku shfaqej me Martinajn, gjë që ka sjellë dhe arrestimin e tij.
Ervis Martinaj është në kërkim ndërkombëtar me urdhër të SPAK, pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani i cili ka thënë se Martinaj e kishte paguar për të vrarë Indrit Doklen (ish-numri dy i Bandës së Durrësit).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.