Ka ndodhur

Dyshohet se ndihmoi autorin e vrasjes së Renato Hoxhajt, arrestohet personi që siguroi makinën. Momenti kur vrasësi i maskuar ikën pas krimit (video)

Gazeta Si – Fotoja dhe videoja e një personi të maskuar, të siguruar nga Gazetasi.al, i cili dyshohet se është autori i vrasjes së 58-vjeçarit Renato Hoxhaj pak ditë më parë në Vlorë, ka rritur mundësinë që grupi i hetimit të zbulojë ngjarjen kriminale.

Në pamje duket një person me kapuç, i cili largohet nga rrugica ku u krye edhe ekzekutimi i viktimës.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se vrasësi ishte i pajisur me një maskë silikoni që i mbulonte të gjithë fytyrën.

Ai kishte vendosur një bark artificial, si dhe kishte mbajtur maskë anti-Covid të zezë dhe kapele për të fshehur çdo detaj të identitetit të tij.

Ndërsa mëngjesin e kësaj të mërkure, për këtë ngjarje të rëndë u arrestua një i ri, i cili dyshohet të ketë bashkëpunuar në këtë vrasje.

Bëhet fjalë për Eris Mehmetin, i cili sipas burimeve policore dyshohet se ka vënë në dispozicion të vrasësit, automjetin e tij. Ai u ndalua pas hetimit të Policisë së Vlorës, e cila identifikoi makinën me të cilën lëvizi vrasësi.

 I arrestuari Eris Mehmeti dhe miku i tij, Roan Brahimi, i ekzekutuar më 6 maj 2024 në Athinë

Në përpjekje për të humbur gjurmët, automjetit të Mehmetit i ishin vendosur një palë targa të tjera të vjedhura.

Në momentin e ndalimit, policia i ka sekuestruar Mehmetit edhe aparatin celular ky dyshohet se mund te ketë biseda me autorët e dyshuar. Mehmeti rezulton mik i Roan Brahimit, i cili u ekzekutua në maj 2024 në Greqi.

Sakaq, burimet policore bëjnë me dije se ka edhe një person të dyshuar si autor i vrasjes së Renato Hoxhajt, por që dyshohet se pas krimit të jetë larguar drejt Greqisë. Është pikërisht ky personi që shfaqet në video, duke u larguar pas vrasjes.

Gjithnjë sipas burimeve, vrasja e Hoxhajt, i cili punonte si roje në një objekt ndërtimi në Vlorë, dyshohet se është porositur nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndonëse ende nuk ka një pistë zyrtare të deklaruar, burimet pranë grupit të hetimit shprehen se motivet e ekzekutimit të 58-vjeçarit kanë të bëjnë me ngjarje të mëparshme kriminale në qytetin e Vlorës, ku i ndjeri dyshohet që mund të ketë luajtur rolin e informatorit mes grupeve rivale kriminale.

Dhe për këtë arsye dyshimet janë që vrasja e tij mund të jetë porositur nga jashtë vendit. Gjithsesi arrestimi i një prej bashkëpunëtorëve të dyshuar pritet që të përforcojnë më shumë pistat e ngritura të cilat duket se po çojnë në zbardhjen e kësaj vrasjeje, e cila në momente e para dukej sikur ishte kryer pa lënë gjurmë.

Eris Mehmeti, i arrestuar nga policia

Hoxhaj kishte disa kohë që ishte divorcuar nga gruaja dhe bashkëjetonte me një grua tjetër. Ai punonte si roje në një biznes në Vlorë.

Renato Hoxhaj u ekzekutua mëngjesin e datës 27 prill me 3 plumba, 2 prej të cilave në kokë dhe 1 në kraharor.

Për ngjarjen policia u njoftua nga bashkëjetuesja e viktimës, e cila e gjeti të pajetë në rrugicë, rreth 2 orë pas krimit.

Në dëshminë e saj në polici, bashkëjetuesja e të ndjerit u shpreh se i dëgjoi të shtënat kur ndodhej në shtëpi, por i konsideroi si fishekzjarre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë