Gazeta Si- SPAK mbyll hetimin dhe kërkon gjykim për 3 italianët, të cilët kanë bashkëpunuar me boznesmenin Rezart Taçi dhe dy të tjerë të përfshirë në skemën e pastrimit të 18.3 milionë eurove të organizatës mafioze “Cosa Nostra”.
Të akuzuarit, në bashkëpunim me Rezart Taçin, Artur Ballën dhe Bledar Lilon kishin organizuar një skemë financiare të paligjshme për pastrimin e një shume të konsiderueshme parash, të një grupi mafioz, nga e cila do të përfitonin rreth 16% të saj.
Shtetasit italianë, Francesco Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli akuzohen për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.
Lilo dhe Balla janë në burg në pritje të gjykimit, ndërsa Taçi vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar për të njëjtat akuza, pasi edhe ndaj tij është caktuar masa e “arrestit me burg” në mungesë.
Akuza
Sipas SPAK, në përfundim të hetimeve paraprake lidhur me këtë procedim penal është arritur në konkluzionin se të pandehurit Francesco Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli, në bashkëpunim me shtetasit shqiptar Rezart Taçi, Artur Balla, Bledar Lilo (të dërguar në gjykim më parë në kuadër të procedimit të lidhur), në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar një skeme komplekse financiare të kundraligjshme, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale.
“Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qënë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përfitimit monetar në masën 16 %, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vënde të tjera”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e SPAK.
Konfiskimi i parave
Sipas Prokurorisë së Posaçme, shuma monetare që përbën produkt të veprës penale është në masën prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e e dyzet e një, pikë pesëdhjetë) Euro.
Shuma monetare prej 18.3 milionë eurosh është konfiskuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në gjykimin ndaj të bashkëpandehurve në procedimin e lidhur.
Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana SPAK.
Hetimet
Skema financiare drejtohej nga dy italianët Francesco Zummo dhe I.Z., në bashkëpunim me një tjetër italian Fabio Petruzzella të zviceranit me origjinë italiane Daniele Castagalli, si dhe të biznesmenit shqiptar Rezart Taçi i përfshirë në biznese në sektorin e naftës.
SPAK thotë se Taçi, në funksion të kryerjes së kësaj veprimtarie ka angazhuar dy bashkëpunëtorët e tij shqiptarë, Artur Balla dhe Bledar Lilo.
Skema
Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shqiptarëve të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht sipas SPAK-ut dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht.
Po sipas SPAK-ut, gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.
Bashkëpunëtorët
Nga hetimet e SPAK, Artur Balla dhe Beldar Lilo kanë pasur një rol aktiv për të ndihmuar italianët Francesco Zummon dhe ekonomistin Fabio Petruzzella-n, të dy të arrestuar në Itali, të hapnin llogari bankare dhe të bënin transferta parash për pastrimin e tyre. Balla dhe Lilo ndihmonin italianët me lëvizjet e tyre në Shqipëri dhe bënin transfertat e parave sipas porosive që u jepte Rezart Taçi, i cili është në kërkim nga policia.
Rreth 18.3 milionë euro ishin depozituar nga korriku në një llogari bankare të hapur pranë ‘Alpha bank’ në Tiranë dhe pastaj duhet transferoheshin në Hong-Kong dhe Singapor nëpërmjet një kompanie të Rezart Taçit, po SPAK e ka bllokuar operacionin.
Llogaria ishte në emër të Francesco Zummo me shumën 18.399.996 euro. Ndërsa Taçi do të fitonte 3 milionë euro nga ky operacion, ose 16% e shumës.
Shuma vinte nga një bankë në Kantonin zviceran të Ticino dhe ishin pjesa e pasurisë 150 miliona euro te Francesco Zummo ta konfiskuar nga gjykata italiane si te ardhura të Cosa Nostra.
Përgjimet
Ishin përgjimet e SPAK ato që zbuluan përfshirjen e Rezart Taçit, ku më 6 tetor 2021, ai i thotë Francesco Zummos se paratë ia garantonte me asetet e tij, duke i kërkuar të kishte besim pas hapjes së llogarisë më 18 qershor në Mal të Zi e në Tiranë.
Balla dhe Lilo ndihmonin italianët me lëvizjet e tyre në Shqipëri dhe bënin transfertat e parave sipas porosive që u jepte Rezart Taçi, i cili i ka mohuar akuzat dhe është shprehur i gatshëm të dalë para drejtësisë shqiptare.
Lilo dhe Balla kanë mohuar akuzat që prej arrestimit. Në rekurs, Lilo ka pretenduar se nuk ka lidhje me akuzat, pasi është vetëm shofer.
Ndërsa kunati i Taçit, ka kërkuar masë më të butë sigurie, por të dyja këto kërkesa janë rrëzuar nga Gjykata e Lartë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.