Gjykata e Durrësit ka lënë në burg tre të arrestuarit, të cilët dyshohen se do të kryenin një vrasje pak ditë më parë.
Aldi Mustafa, 35 vjeç, Uran Zyka, 40 vjeç si dhe Tahir Gjinika, 33 vjeç janë paraqitur sot në sallën e gjyqit për t’u njohur me masën e sigurisë.
Këta të fundit u arrestuan gjatë një operacioni të policisë dy ditë më parë. Në momentin kur janë ndaluar nga policia, ata kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip “BMW” që drejtohej nga Mustafa. Ata kanë tentuar të largohen, duke goditur makinën e policisë, por janë bllokuar nga efektivët e tjerë.
Në makinë u gjetën 3 pistoleta me fishekë në fole, 1 mitraloz me fishek në fole dhe gati për qitje, municion luftarak, 2 laptopë, 9 telefona celularë dhe 1600 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.
Grupi hetimor pritet të mësojë nëse armët janë përdorur në ngjarje kriminale, ç'ka mund të ndihmojë edhe në zbardhjen e ngjarjeve të vjetra.
Hetimet ndërkohë vijojnë edhe për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në veprimtarinë e dyshuar të vrasjeve me pagesë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.