Gazeta Si – Është shtyrë për të mërkurën, 6 gusht (nesër) në orën 10:00 seanca për çështjen e “Bankers Petroleum Albania LTD”.
Dhjetë personat e dyshuar kërkuan në Gjykatën e Apelit në Tiranë ndryshimin e masës së sigurisë, por çështja është shtyrë për shkak të kompleksitetit të dosjes.
Avokatët e të dyshuarve kanë përfunduar mbrojtjen dhe parashtrimet e tyre mbi ankimin për masat e sigurisë që u caktuan nga Gjykata e Fierit.
Drejtori i Përgjithshëm i Bankers, shtetasi kinez Hong Ping Xiao, ish-drejtori Leonidha Çobo kanë masë sigurie “arrest në burg”.
Pesë persona të tjerë janë lënë në “arrest shtëpie”, ndërsa 3 të tjerë në detyrim paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë vendit.
Më herët, përfaqësues të ambasadës kineze në Tiranë nuk u lejuan të ndjekin nga afër seancën në gjykatë.
Të akuzuarit pretendojnë se nuk kanë lidhje me akuzat dhe kërkojnë masa më të buta sigurie.
Dhjetë zyrtarët e kompanisë, akuzohen si të përfshirë në skemën e mashtrimit fiskal të “Bankers Petroleum”, e cila dyshohet se për 20 vite me radhë ka kryer evazion fiskal duke deklaruar vetëm humbje, ndërkohë që kishte nxjerrë miliarda euro fitim nga shitja e naftës brenda dhe jashtë vendit.
Hetimet për Bankers janë zhvilluar nga Prokuroria e Fierit, në bashkëpunim me strukturat tatimore dhe policore, dhe lidhen me dyshime për deklarime të rreme tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare në një shkallë masive.
Prokuroria e Fierit i akuzon të arrestuarit dhe të shpallurit në kërkim për veprat penale: “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



