Gazeta Si – Dyshimet për një aksident që u mori jetën e 55 oficerëve dhe marinarëve kinezë në një nëndetëse me energji bërthamore, kanë qarkulluar që nga fundi i gushtit. Tani, konfirmimi vjen edhe nga inteligjenca britanike, sipas asaj që ka raportuar nga britanikja “Daily Mail” e Londrës.
Ja përmbledhja e raportit: 21 gusht, Deti i Verdhë, pak milje larg Shandong, ora 08:12. Nëndetësja kineze 093-417 përfundon në një kurth të vendosur në brigje për të dëmtuar njësitë amerikane dhe flotat e tjera të përfshira në operacione zbulimi (spiunazhi). Kurthi përbëhet nga “një zinxhir i lidhur me një spirancë”: pas goditjes, 093-417 mbeti e mbërthyer në thellësi deri në orën 14:04, duke u përballur me dëmtimin e sistemeve të navigimit.
Kur rishfaqet, gjashtë orë më vonë, 55 trupa të pajetë gjenden në brendësi të saj: 22 oficerë, 7 kadetë, 9 oficerë të vegjël dhe 17 marinarë të thjeshtë.
Rindërtimi i ngjarjes është konfuz. Informacioni i parë u përhap nga një faqe interneti e disidentëve kinezë jashtë vendit, të cilët shpesh e ekzagjerojnë lajmin në përpjekje për të destabilizuar Pekinin.
Sipas këtij versioni, ekuipazhi humbi nga mungesa e oksigjenit në bord. Një hipotezë e pamundur, duke pasur parasysh se nëndetëset me energji bërthamore mund të lundrojnë të zhytura për muaj të tërë pa pasur nevojë të dalin në sipërfaqe.
Një dyshim tjetër: njësitë bërthamore kanë motorë të një fuqie të tillë që mund t’i shpëtojnë një zinxhiri të lidhur me një spirancë.
Këto dy kundërshtime janë vërejtur nga H.I. Sutton, një analist autoritativ i marinës amerikane, i cili mbuloi rastin në blogun e tij gushtin e kaluar.
Burime në Tajvan mohuan të kenë informacion për një aksident fatal. Në Pekin, zëdhënësit e mbrojtjes gjatë verës i përkufizuan zërat e përhapura në internet si “gënjeshtra”.
Për më tepër, në Kinë ministri i Jashtëm dhe ministri i Mbrojtjes u zhdukën së fundmi pa e ndjerë nevojën e qeverisë për të dhënë ndonjë shpjegim publik.
Tani historia për katastrofën e nëndetëseve rishfaqet në gazetën “Daily Mail”, e cila pavarësisht se është një tabloid popullor, ka burime të mira ushtarake në Londër dhe citon një raport të inteligjencës britanike.
Gjatë gjashtë orëve të nevojshme për t’u çliruar nga kurthi dhe për t’u rishfaqur, në nëndetëse ndodhi një problem me sistemin e pastrimit të ajrit dhe 55 anëtarët e ekuipazhit vdiqën nga asfiksia ose intoksikimi.
Një ish-detar nëndetëseje i Marinës Mbretërore, vëren se mundësia e një aksidenti të tillë është e besueshme dhe se në atë rast, një mesazh i koduar që kërkon ndihmë është dërguar automatikisht nga njësia në vështirësi.
Ai “sinjal fatkeqësie” do të ishte marrë nga njësi të tjera detare, përfshirë ato të huaja, që lundronin në zonë.
Dikush kujton që më 21 gusht, Xi Jinping ishte në Johansburg për samitin e Brics-it, por papritur dhe pa shpjegime një takim tregtar u anashkalua.
Ndoshta presidenti, si dhe komandanti i përgjithshëm i Komisionit Qendror Ushtarak të Ushtrisë Çlirimtare Popullore, ishin informuar për dramën në vazhdim? E pamundur të konstatohet.
Gjithçka që dihet me siguri, është se “Type 093” (kategoria “Shang” në klasifikimin amerikan), funksionale prej 15 vitesh, është nëndetësja bërthamore më e fuqishme në Marinën Kineze, e cila ka gjashtë ekzemplarë të tillë në qarkullim.
Ato janë varka 107 metra të gjata, me një gamë veprimi praktikisht të pakufizuar. të armatosura me raketa kundër anijeve dhe atyre të lundrimit.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



