Drejtësia

Dyshime për krime zgjedhore, SPAK i sekuestron celularin nënkryetarit demokrat të Bashkisë Pukë

Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka sekuestruar celularin e nënkryetarit demokrat të Bashkisë së Pukës, Ndue Sumës.

Mësohet se sekuestrimi lidhet me një hetim që SPAK po zhvillon nën dyshimin se Suma është përfshirë në korrupsion për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.

Zyrtarisht nuk ka një njoftim nga SPAK deri në këto momente për këtë hetim, por mësohet se ai u ndalua nga agjentët e BKH teksa po udhëtonte me makinë afër Durrësit.

Suma dyshohet se ka kryer veprën penale “dhënie e shpërblimeve dhe premtimeve”, e parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

Pjesë e këtij procedimi janë edhe persona të tjerë, që dyshohet se kanë kryer krime zgjedhore gjatë fushatës elektorale.

Për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025, u krijua një Task-Forcë mes SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme dhe KQZ për të goditur krimet zgjedhore.

Tre ditë pas zgjedhjeve, me urdhër të SPAK, një operacion i BKH dhe policisë, i mbështetur nga forcat operacionale, u zhvillua në Shkodër, Vaun e Dejës dhe Malësi të Madhe, në kuadër të hetimeve për krime zgjedhore.

Sipas burimeve paraprake, disa persona u shoqëruan nga forcat e BKH-së, të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme gjatë procesit zgjedhor. Të shoqëruarit, gjithnjë sipas burimeve, raportohet se ishin mbështetës të Partisë Socialdemokrate (PSD).

Ndërsa më 15 maj, SPAK ka sekuestruar celularin e kryebashkiakut socialist të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli në dyshimet krime zgjedhore.

Deri më tani, janë bërë 107 kallëzime për krime zgjedhore në të gjithë vendin. Për 47 prej tyre nisën hetimet nga Prokuroritë. 6 materiale kallëzuese i janë referuar SPAK-ut.

Deri më tani janë arrestuar në flagrancë 7 persona për veprat penale në fushën e zgjedhjeve, 4 në Prokurorinë Tiranë, 1 në Prokurorinë e Elbasanit, 1 në Prokurorinë e Lezhës dhe 1 në Prokurorinë e Fierit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë