Një vendim i Qeverisë në mbledhjen e së mërkurës i jep një kompanie në pronësi të një shtetasje amerikane për përdorim për 30 vite një zonë të gjerë plazhi në Gjilekë të Himarës, në bazë të një vendimi të mëhershëm të Komisionit të Investimeve Strategjike, që e kishte shpallur këtë investim strategjik.
Projekti është një hotel, që sipas përcaktimeve të ligjit për investitorët strategjikë duhet të jetë me pesë yje. Ai do të zbatohet nga kompania “AGTCC Hotel Management”, që në regjistrin kombëtar të bizneseve rezulton në pronësi të Tawni Lin Grzych-Sutton, një shtetase 30-vjeçare nga Masaçusets i SHBA, e pajisur me leje qëndrimi në Shqipëri.
Kompania rezulton e themeluar prej saj në muajin qershor të 2021, tre muaj pasi ka marrë statusin e investitorit strategjik, me një kapital fillestar prej 50 mln lekësh, ndërsa në ekstraktin historik mungojnë të dhëna e dokumentacione të tjera që të provojnë se kompania e 30-vjeçares dhe vetë 30-vjeçarja ka përvojën dhe burimet financiare të nevojshme për të përfituar statusin e investitorit strategjik.
I vënë përballë këtyre fakte, bashkëshorti i ministrjes së Jashtme dhe ish-deputeti socialist, Artan Gaçi ka pranuar se pas investitorit strategjik në Gjilekë të Himarës qëndron ai me kompaninë që zotëron 100 për qind, AG.TTC.
“Unë jam investitor strategjik dhe po ndërtoj një hotel, nuk po ndërtoj vila siç bëjnë të tjerët. Më takon zona e plazhit përballë hotelit për të vënë shezlongët”, citohet ai nga BIRN.
Ai mohon se ka konflikt interesi, duke deklaruar se për këtë “është këshilluar me shumë juristë” dhe e quan kompaninë e themeluar nga shtetësja anonime amerikane si kompani me shumë përvojë në këtë fushë.
“Për të shmangur këtë konflikt interesi, unë gjeta një kompani tjetër me përvojë në këtë fushë, e cila do të marrë në menaxhim hotelin dhe plazhin dhe unë jam thjesht investitori. Kam folur me shumë juristë për këtë”, duke pranuar për BIRN se kompaninë e Tawni Lin Grzych-Sutton e ‘ka përzgjedhur ai.’
Kuvendi zgjati me dy vite në dhjetor të vitit të kaluar ligjin për investimet strategjike, pas propozimt të deputetit të Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi. Kërkesa e deputetit argumentohej me mungesën e një legjislacioni përfundimtar.
“Shtyrja e këtij afati është miratuar, edhe më parë, pasi nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është në proces hartimi i një projektligji “Për investimet”, i cili ka lindur si domosdoshmëri, pasi legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë i jepte një mbrojtje shtesë investimeve të huaja, por jo atyre vendase, ndërkohë që një korpus i ri ligjor më vete ishte krijuar për investimet strategjike”, thotë në relacionin shoqërues deputetit Pëllumbi.
Ligji për investimet strategjike është miratuar në vitin 2015 si një ligj i përkohshëm për të ofruar mbrojtje të barabartë si për investitorët vendas, ashtu edhe për ata të huaj. Ideja ishte që ligji të qëndrojë në fuqi deri kur të përfundojë ligji i ri për investimet.
Por, që prej asaj kohe ligjit i është shtyrë me tre herë afati dhe në kërkesën e tretë përmendet pandemia si pengesë që i ka dalë Ministrisë së Financave për ta përmbyllur ligjin e ri.
Nga shifrat zyrtare, deri në korrik të këtij viti janë trajtuar dhe dërguar në Komitetin e Investimeve Strategjike 35 kërkesa për marrjen e statusit të investitorit strategjik, nga të cilat 25 janë miratuar dhe 10 janë refuzuar.
Statusi i investitorit strategjik jepet në gjashtë sektorë; energjitik dhe minerar, transport, komunikime elektronike dhe mbetje urbane, turizëm, bujqësi, zonat e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik dhe zonat me përparësi zhvillimi, kryesisht ato bregdetare.
Deri më tani, gjysma e investitorëve strategjikë e kanë përfituar këtë status në sektorin e turizmit, kryesisht në projekte të kontestuara për ndërtimin e komplekseve dhe resorteve turistike në bregdet. Këtyre investimeve u është ofruar asistencë në përshpejtimin e procedurave, pajisjen me lejet dhe licencat e nevojshme për realizimin e investimit, vënien në dispozicion të pronave shtetërore të bregut të detit, apo sipërfaqeve pyjore pranë resortit, ndërtimin e infrastrukturës ndihmëse si: rrugë, rrjet elektrik, ujësjellës, kanalizime dhe asistencë për konsolidimin e tokës, ku përfshihet regjistrimi i pronave në ZVRPP apo marrje në përdorim për periudhë afatgjatë me tarifë simbolike të pronave shtetërorë sipas kërkesës së investitorit.
Në lidhje me këtë ligj ka pasur kritika se po shfrytëzohet nga njerëz pranë qeverisë për të përvetësuar prona shtetërore dhe private në zonat më të lakmuara bregdetare, ndërkohë që vërejtje ka pasur edhe në një parashikim të tij, ku shteti mund t’u marrë pronat private qytetarëve për t’i vënë në shërbim të investitorit strategjik.
Ligji thotë në nenin 28 të tij se “për të mundësuar zhvillimin dhe realizimin e projekteve investuese strategjike, që kanë përfituar statusin e “Investim strategjik, procedurë e veçantë’’ lejohet shpronësimi i pasurive të paluajtshme pronë private, nëse investitori nuk ka mundur ta zgjidhë pronësinë mbi pasurinë e paluajtshme me marrëveshje me pronarin, mbasi janë kryer më parë përpjekjet nga investitori.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.