Shendet

Dyndje në urgjencat e QSUT. Virozat e infeksionet vënë mjekët në alarm

Prej ditësh tashmë është ngritur shqetësimi se urgjencat e QSUT, janë të tejmbushura nga virozat dhe për rrjedhojë ka mungesë shtretërish dhe mjekësh. Sipas deklaratave të mjekëve, shërbimi infektiv mund të arrijë deri në 200 vizita në një ditë dhe mejkët janë të shqetësuar se nuk mund ta përballojnë këtë fluks.

Shefja e Shërbimit Infektiv në QSUT Najada Çomo, shpjegon për Gazetën “Si” se në këtë stinë ka një fluks të numrit të pacientëve dhe pjesa më e madhe kanë çrregullime të tubit tretës. Sipas saj, infeksionet janë të ndryshme, ato paraqiten me natyre bakteriale, virale dhe parazitare.
“Ata që mbeten më shumë problematikë si pacientë janë grupmoshat e treta, për shkakun se në Shërbimin Infektiv, nuk vijnë vetëm rastet që kanë çrregullime të tubit tretës, por vjen çdo rast me temperaturë të lartë dhe temperatura ka origjinë të ndryshme, si nga sistemi nervor qendror, aparati respirator dhe tubi tretës,”shprehet Çomo.

Shefja e Sherbimit Infektiv në QSUT, Najada Çomo

Virozat janë organizma patogjene që sulmojnë për një periudhë të shkurtër organizmin tonë. Ato janë të formave të ndryshme dhe nga stina në stinë këto lloj virusesh, përfshi dhe gripin, pësojnë mutacione gjenetike, çka tjetërson edhe formën e tyre të shfaqjes dhe pasojat shëndetësore. Dy ditë pasi trupi ynë sulmohet nga një virus i ashtuquajtur stinor, shfaqen simptoma të tilla si: temperaturë, ethe, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, marrje mendsh, kollë, sekrecione, dhimbje veshësh, të vjella, diarre dhe në pjesën më të madhe të rasteve edhe humbje të oreksit. Bakteret, ose viruset sulmojnë shpesh dhe thuajse çdo vit bëhemi viktima të këtyre virozëve, që në shumicën e rasteve shkojnë pa komplikacione dhe pasoja. Por, në rastet kur organizmi shfaq predispozita të tjera, një virozë e thjeshtë apo një grip mund të jetë edhe fatal për disa kategori pacientësh.
Çomo shpjegon për Gazetën “Si” se Shërbimi Infektiv është pjesë e shërbimit kombëtar dhe pacientët vijnë edhe nga spitalet rajonale të rretheve, duke rritur dyndjen në dyert e QSUT.

“Ajo që duhet theksuar është që fatmirësisht nuk kemi shpërthim epidemik, kemi raste të veçuara dhe më së shumti kanë qenë për shkak të ekspozimit ndaj temperaturës. Rastet më të vështira që janë trajtuar në Shërbimin e Infektivit janë ata që kanë sëmundje kronike, më të vështira për t’u menaxhuar. Diçka tjetër që duhet përmendur është fakti se në këtë sezon jemi përballur edhe me infeksione të sistemit nervor qendror siç, janë miningitet me natyrë virale, që kanë prekur më shumë mosha e reja pasi ata janë më të ekspozuar ndaj bakterit,” shton Çomo.

Foto ilustruese brenda urgjencës se QSUT

Për sa i përket numrit të shtuar të pacientëve, mjekja shpjegon se shifrat janë të larta por sipas saj pacientët fillimisht, duhet të drejtohen tek mjeku i familjes dhe mjekët specializantë për të marrë ndihmën e parë. Ajo shton se në Shërbimin e Infektivit pacientët duhet të vijnë të referuar, në mënyrë që të anashkalohet fluksi i madh dhe personat të drejtohen në vendin e duhur për ankesat që kanë. Gjatë ditës së djeshme edhe mjeku infeksionit Tritan Kalo në një konferencë për media tha se mbingarkesa në pavijonet e urgjencës sjell acarim të marrëdhënieve pacient-personel.
“Mbingarkesa sjell acarim të marrëdhënieve pacient-personel. Pjesa më e madhe është se të gjithë adresohen në QSUT pa kaluar në një vizitë tek mjeku i familjes, duke shmangur për të dhënë ndihëm atyre që kanë vërtetë urgjenca. Duhet të bëjmë kujdes. Në qendrat e urgjencës duhet të vijnë vetëm ata që nuk mund të merren përsipër nga këto qendra,” u shpreh ai.
Për sa i përket kujdesit, Çomo këshillon që të konsumojmë ushqime të kontrolluara dhe të mos i mbajmë të paketuara për orë të gjata, apo të ekspozuara në temperatura të larta dhe të hidratohemi sa më shumë, pasi stina e nxehtë prish ekuilibrat në organizëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë