Duhanpirja në vendin tonë prej disa kohësh është bërë një problem i madh. Në ditën botërore pa duhan, Roland Shuperka, eksperti i shëndetit publik dhe një nga hartuesit e ligjit për “Mbrojtjen nga duhani” thotë për Gazetasi.al se në vendin tonë ka informacione të pasakta përsa u përket shifrave të duhanpirësve.
Shuperka përmend një material ku janë pasqyruar të dhëna të publikuara në faqen zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetit të dërguara nga Ministria e Shëndetësisë, bazuar në studime të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me OBSH-në dhe CDC.
Prevalenca e pirjes së duhanit për moshat 13-15 vjeç, që përfshin nxënës të klasës 7, 8 dhe 9, viti 2015-2020, është: Në vitin 2015, 12.1% të djemve të moshës 13-15 vjeç konsumojnë duhan dhe 4.5% të vajzave të po të njëjtës moshë konsumojnë duhan. Në vitin 2020, 20.2% e djemve të moshës 13-15 vjeç dhe 9.9% të vajzave konsumojnë duhan.
Duke krahasuar vitin 2015 me vitin 2020 në të dhënat e mësipërme rezulton se:
– kemi rritje të numrit rinjve që konsumojnë produkte duhani, afërsisht dyfishin, nga 8.6 % ne 15.3 %
– është dyfishuar numri i vajzave qe përdorin produkte duhani nga 4.5 % ne 9.9 %.
– ka rritje të konsiderueshme të përdorimit te cigareve elektronike në nxënësit e klasave te 7,8 dhe 9, nga 5.8% ne 9.3 %.
Prevalenca e duhan pirjes mbi moshën 15 vjeç:
Në Shqipëri, 38.8% e meshkujve janë duhanpirës dhe 6% e femrave.
Ndërkohë që gjithë Europën, 32.9% e meshkujve janë duhanpirës dhe 17.7% e femrave.
Duke iu referuar shifrave te mësipërme, Shuperka ngre disa pikëpyetje:
“Si është e mundur që niveli i duhanpirjes në vendin tonë është më i ulët se në vendet e Bashkimit Europian? Kur niveli i kontrollit të duhanit në ato vende është më i lartë për shumë arsye? Si është e mundur që femrat mbi moshën 15 vjeç konsumojnë duhan në shifrën 6%? Si shpjegohet që nxënëset në moshën 13 vjeç- 15 vjeç, kanë prevalencën 9.9%?, pra nxënëset 13-15 vjeç përdorin produkte duhani pothuajse sa dyfishi i nënave të tyre? Me këto të dhëna, a justifikohet niveli i ulët i cdoganimeve dhe tregtia e paligjshme e produkteve të duhanit?”
Shuperka thotë se studimet mbi moshën 15 vjeç e japin duhanpirjen në nivel 22.4% në vendin tonë ndërkohë që në vendet e Bashkimit Europian kjo shifër është 25.3%, pra ndjeshëm më e lartë.
Ndërkohë midis qarqeve të Shqipërisë rezultojnë diferenca të pashpjegueshme sipas Shuperkës. 23% në Korçë, 26% në Kukës, 42% në Tiranë, 45% në Vlorë, 29% në Durrës, 29 % në Lezhë, 41% në Fier, 42% në Berat, Gjirokastër 36%, Elbasan 32% dhe Dibër 31%.
“Është një kakofoni totale shifrash”, thotë Shuperka.
Përse?
Shuperka thotë se midis të rinjve ka interes të paraqitet situata më keq sesa është në të vërtetë sepse është një grupmoshë delikate ndërkohë që midis popullatës adulte ka interes të paraqitet situata më mirë sesa është në të vërtetë sepse “mbulohet kontrabanda e cigareve dhe tregtia e paligjshme e duhanit, apo fshihen taksat dhe akcizat”.
Ndërsa dallimet që sipas Shuperkës janë të pakuptimta midis qarqeve dhe diferencat deri në dy herë midis prevalencës tregojnë edhe një aftësi në mbulimin e shifrave.
Shuperka tregon se problemi më i madh në vendin tonë me duhanpirjen është se qytetarët vazhdojnë të mbeten të painformuar dhe të pambrojtur përballë shkaktarit numër një të vdekjeve të parandalueshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje