Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaroi se do të dyfishohen kapacitetet e terapisë intensive në spitalin e Elbasanit dhe do të forcohet rrjeti i reanimacioneve në spitalet rajonale.
Deklarata e ministres Manastirliu u bë nga spitali rajonal i Elbasanit, ku u dorëzuan pajisjet e reja jetëshpëtuese për shërbimin e reanimacionit.
“Dyfishojmë kapacitetet e terapisë intensive në spitalin e Elbasanit dhe forcojmë rrjetin e reanimacioneve në spitalet rajonale jo vetëm për t’ju përgjigjur situatës së shkaktuar nga COVID-19, por edhe për përballimin e patologjive të tjera në spitale”, është shprehur Manastirliu, ndërsa shtoi se “të gjithë pajisjet që sot po dorëzohen në spitalin e Elbasanit jo vetëm fuqizojnë terapinë intensive por edhe dyfishojnë flotën e pajisjeve të cilët ekzistonin më parë, por tani është një arsye më shumë që të trajtohen më shumë pacientë, duke shmangur ecejaket në Tiranë dhe për të mundësuar që të marrin trajtim afër vendbanimit. Ky është një synim afatgjatë i gjithë investimeve që ne kemi bërë në sistemin shëndetësor”.
Ministrja Manastirliu deklaroi se po vijon puna për të rritur kapacitetet e testimit dhe ato diagnostike në këtë situatë të përballjes me COVID-19.
“Fuqizimi i shërbimit të terapisë intensive është një objektiv të cilin ne po e bëjmë realitet. Jo vetëm në këtë moment ku po përballemi me virusin e rrezikshëm Sars-Cov2 dhe ku të gjitha forcat janë mobilizuar për t’u përballur dhe për t’iu përgjigjur këtij virusi të rrezikshëm, qoftë për nga pikëpamja diagnostike me fuqizimin dhe rritjen e vazhdueshme të testimeve, edhe nëpërmjet fuqizimit të spitaleve tona, siç është Spitali Universitar ‘Nënë Tereza’, spitali ‘Shefqet Ndroqi’ dhe gjithashtu edhe spitalet rajonale”, tha Manastirliu.
Ndër të tjera, Manastirliu ka kërkuar vigjilencë të shtuar në këtë situatë dhe vlerësoi punën e mjekëve dhe infermierëve për përballimin jo vetëm të COVID19 por edhe të patologjive të tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




