Politike

Dy zv/ministrat e Arsimit vënë në pikëpyetje seriozitetin e Qeverisë

Dy emrat e rinj të emëruar nga Kryeministri Edi Rama në postin e zëvendësministrit të Arsimit, duket se kanë vënë në pikëpyetje të madhe seriozitetin e Qeverisë në përmbushjen e kërkesave të protestës studentore për një arsim më cilësor dhe kushte më të mira.

Redi Shtino dhe Lorena Haxhiu u emëruan si zëvendësuese të Besa Shahinit, duke zëvendësuar pikërisht këtë të fundit dhe të dorëhequrin Taulant Muka.

Për Redi Shtinon, Taulant Muka hedh dyshime të forta.

Zv/Ministri i Arsimit, Redi Shtino

“Redi Shtinos iu deshën 14 vite te mbyllte studimet 5-vjecare dhe doktoraturën në Universitetin e Tiranës, por shkruan se e ka mbrojtur doktoraturën në Bolonja të Italisë! Këto fakte mjatojnë për të treguar "vizionin" e ri të MARS!”, shkruan Taulant Muka në Facebook.

https://www.facebook.com/Taulant.Muka/posts/10214367556238576

Shtino është një emër jo fort i njohur për publikun. Më e njohur është Lorena Haxhiu, por jo për ndonjë kontribut të caktuar në fushën e arsimit. 28-vjeçarja është një fytyrë relativisht e njohur e botës së showbizz-it shqiptar.

Ajo vjen si zv.ministre pas disa përvojave si drejtuese emisionesh në “Vizion Plus”, “Agon Channel”, apo “Albanian Screen”, para se të bëhej pjesë e Ministrisë së Arsimit duke marrë postin e Drejtoreshës së Përgjithshme të Shërbimit Rinor.

Puna në krye të kësaj drejtorie që prej 2017, edhe pse e shkurtër, duket se ka kënaqur Kryeministrin Rama, që i ka dhënë besimin duke e “graduar” në postin e zëvendësueses së Besa Shahinit.

Në rrjetet sociale, Lorena Haxhiu shkruan se ka përfunduar studimet në Fakultetin e Ekonomisë, ndërsa po në këto “kanale” komunikimi nuk ngurron që të postojë foto me bikini. Pikërisht për këto foto ajo është vënë shpesh në qendër të mediave rozë.

Zv/Ministrja e Arsimit, Lorena Haxhiu

Në një intervistë të tillë, pyetjes se kur ka dhënë puthjen e parë iu përgjigj duke nënkuptuar “shumë herët”. “Më mirë mos ta them. Do të zhgënjeheshin vogëlushet e ditëve të sotme”.

Sa u takon tipit të meshkujve që pëlqente zv.ministrja, gjithmonë nëse nuk ka ndryshuar mendje, përgjigjia ishte akoma më e drejtpërdrejtë.

“Një trup i bukur dhe me muskuj. Të kuptohemi, jo si të rojeve të sigurisë. Nga ana tjetër natyra i ka bërë meshkujt me sy të mëdhenj dhe të depërtueshëm. Shikimi i fshehtë dhe tërheqës më bën për vete”, deklaronte ajo.

Dy zëvendësministrat e rinj të Arsimit, pritet të kenë jo pak rol në realizimin e zotimeve të shprehura publikisht nga Kryeministri Edi Rama për universitetet. A do të jenë në lartësinë e duhur apo jo, koha do ta provojë! Por e sigurtë është që sot pozicioni i zv.ministrit të Arsimit është bërë më i paqëndrueshmi se kurrë, që prej largimit të Ervin Demos, të akuzuar nga Taulant Muka për plagjiaturë dhe që aktualisht përflitet si një prej kandidatëve më potencialë të konceptuar nga Edi Rama për kryetar të Bashkisë së Beratit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë