Politike

Dy VKM të Ramës, a po lë hapur mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve?

Kryeministri Edi Rama dhe aktorë të tjerë të mazhorancës, kur flitet për zgjedhjet vendore, shprehen të bindur se ato do të mbahen më 30 qershor. Vetë Rama e përforcoi këtë në dy daljet e fundit para gazetarëve.

Kryeministri mirëpriti ndihmën e ndërkombëtarëve në ndërmjetësimin e krizës, u shpreh i gatshëm për të dialoguar me Lulzim Bashën, por kur u pyet mbi mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve e përjashtoi këtë mundësi. “Negociata për 30 qershorin nuk do të ketë”, tha ai.

Por, tërthorazi, dy vendime të Qeverisë së Ramës për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor e lënë të hapur derën e shtyrjes e së këtij procesi. Vendimi i parë ka të bëjë me pezullimin e të gjitha procedurave të prokurimit publik nga ana e bashkive, apo autoriteteve kontraktore në varësi të tyre, pra thënë më thjesht, pezullimin e të gjithë tenderave. Fillimisht u la të nënkuptohet se hapja e tenderave do të vijonte pas mandatimit të kryebashkiakëve të rinj, të cilët do të marrin postin pas përfundimit të zgjedhjeve vendore. Vetëm pas një reagimi që kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi pati lidhur me këtë mungesë afatesh, vendimi i qeverisë u ripublikua në faqen zyrtare, duke vendosur tashmë afatet e këtij vendimi nga 1 deri në 30 qershor.

Postimi i kryebashkiakes Voltana Ademi

Vendimi i dytë lidhet me transparencën e aktiviteteve të të gjithë aparatit të administratës shtetërore, që sipas deklaratës sqaruese të bërë më 10 maj nga ana e Qeverisë, synon që të parandalojë abuzimin dhe përdorimin e burimeve njerëzore dhe financiare të administratës shtetërore për fushatë elektorale nga ana e partive politike.

Në mes të klimës së ndezur dhe mosbesuese mes shumicës dhe pakicës, dy vendimet konsiderohen krejtësisht normale. Por, specifika sidomos e VKM-së së dytë, ka të bëjë me afatet kohore që nuk përcaktohen me datë fikse 30 qershorin, apo datën e marrjes së detyrës nga kryebashkiakët e rinj.

Pra, ndonëse zgjedhjet, sipas mazhorancës do të mbahen më 30 qershor, vendimi për mospërdorimin e administratës shtetërore për qëllime elektorale, nuk e ka këtë afat.

Në të dyja rastet, shënimi në fund thotë se vendimet hyjnë në fuqi menjëherë.

"Dyzimi" dhe më pas korrigjimi në VKM-në e parë, atë që ka të bëjë me tenderat, dhe mospërcaktimi i afatit kohor në VKM-në e dytë, do të thotë se Qeveria kishte ndoshta në plan të linte të hapur ruajtjen në fuqi të këtyre VKM-ve edhe në rast të shtyrjes së zgjedhjeve për një datë tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë