Ora 03:54, 26 nëntor 2019. Një lëkundje e fortë toke lë pas një prej tragjedive më të mëdha në historinë e popullit shqiptar. Tërmeti shkatërrimtar shkakton 51 të vdekur, rreth 1 mijë të plagosur, mbi 15 mijë të zhvendosur nga banesat e tyre dhe prek rreth 150 mijë vetë të tjerë.
Epiqendra e tragjedisë ishte qyteza e vogël e Thumanës. 26 persona humbën jetën vetëm këtu si pasojë e shembjes së dy pallateve të vjetra. Këtu konsumua një tragjedi e paralajmëruar, ku tërmeti nxorri në pah edhe mos reagimin e strukturave shtetërore, pas shqetësimit të ngritur nga banorët që në gusht të 2018 për sigurinë e pallateve të tyre.
Ishin orët e para të tragjedisë. Askush nuk e kishte mendjen te nxjerrja e përgjegjësive dhe fajtorëve. Misionet e shpëtimit mundoheshin nën rrënoja që të shpëtonin jetë, ndihma ushqimore e mjekësore vërshuan nga qytetarët e tjerë për rreth 15 mijë personat e mbetur të pastrehë.
Urgjente në orët e para ishte strehimi i atyre që kishin humbur shtëpitë. Shifra përllogaritej ngfa 12 deri në 15 mijë vetë. Mes strehimit nëpër hotele dhe çadra, në fund të dhjetorit Qeveria tha se kishte strehuar gjysmën e tyre nëpër hotele dhe ndërtesa sociale, ndërsa 5 deri në 7 mijë vetë të tjerë ishin ende nëpër çadra.
Opozita bënte thirrje për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Pas një jave, Qeveria e shpalli këtë gjendje, por vetëm në qarqet Tiranë e Durrës, dy kryeqendrat e tërmetit, ndërsa më vonë të njëjtën gjendje e shpalli edhe për qarkun e Lezhës.
Bilancit njerëzor iu shtua edhe bilanci ekonomik. Sipas përllogaritjeve të Qeverisë dhe Bankës Botërore, tërmeti kishte shkaktuar një dëm prej rreth 1 miliard euro. Megjithatë, Qeveria premtoi një proces rindërtimi të shpejtë dhe për këtë qëllim thirri më 17 shkurt të 2020 në Bruksel një konferencë donatorësh.
Për gjithë procesin e rindërtimi u krijua një ministri e posaçme e drejtuar nga Arben Ahmetaj. Kësaj ministrie, në një moment të dytë do t’i shtohej edhe menaxhimi i pandemisë, në dualitet me Ministrinë e Shëndetësisë.
Mes kredive të buta dhe granteve, donatorët në konferencën e Brukselit premuan 1.15 miliard euro për Shqipërinë. Kësaj shume i shtoheshin edhe miliona euro të donacione nga fondacione e organizata joqeveritare, si dhe para të vëna në dispozicion nga vetë Qeveria. Puna kishte filluar me ritme ku të ngadalta, e ku më shpejt me pastrimin e rrënojave, kryesisht në Thumanë e në Durrës.
Si pasojë e tërmetit të nëntorit u shkatërruan dhe dëmtuan pallate banimi, shtëpi, monumente kulturore, shkolla, objekte të institucioneve, qendra shëndetësore dhe objekte të kultit, ndërkohë gjurmët e shkatërrimit shihen ende.
Menaxhimi i krizës
Tragjedia vuri në pikëpyetje të madhe aftësinë e strukturave shqiptare të emergjencës për të përballuar kriza të këtyre përmasave. Politika la për momentin menjanë sherrin e ditës dhe ndonëse në terren Edi Rama dhe Lulzim Basha nuk u shfaqën asnjëherë bashkë, në mesazhet e përcjella bënin thirrje për solidaritet.
Ditët e zisë mbaruan shpejt dhe pa u mbushur ende muaji nisi përplasja mbi menaxhimin e krizës humanitare. Lulzim Basha akuzonte Edi Ramën se kishte dështuar, duke lënë në çadra mijëra banorë. Basha kërkonte që duke shfrytëzuar gjendjen e emergjencës, Qeveria të anulonte 150 mln euro para që sipas tij shkojnë në tendera korruptivë për oligarkët dhe t’i përdorte këto para për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga tërmeti.
Edi Rama deklaronte se duhej gjetur një rrugë e mesme, ku nuk mund të sakrifikohej e gjithë ekonomia e vendit për rindërtimin. Qeveria në buxhetin e 2020 shkurtoi shpenzimet në disa fronte, por jo në projektet e kritikuara me partneritet publik-privat dhe vetë Edi Rama tha se në janar 2021 do të hapeshin procedurat për disa nga këto projekte të kontestuara, duke filluar që nga ai i rrugës Thumanë-Kashar.
Duke lënë mënjanë debatin mbi shpejtësinë e rindërtimit, një raport auditues i Kontrollit të Lartë të Shtetit gjen edhe shkelje të shumëfishta në procedurat e këtij procesi, mungesë të theksuar transparence dhe hedh dyshime të forta për shpërdorim të fondeve.
Sipas KLSH, paratë në procesin e rindërtimit janë derdhur kuturru, pa u dokumentuar, me shkelje të vendimeve të Qeverisë dhe ligjeve në fuqi dhe pa transparencë, madje edhe ndaj vetë Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Raporti i auditimit të KLSh-së për shpenzimet e kryera në procesin dyvjeçar të rindërtimit është i mbushur me vërejtje dhe rekomandime për Ministrinë e Rindërtimit, të drejtuar nga Arben Ahmetaj, si institucioni përgjegjës për këtë proces.
“Nuk demonstrohet dokumentacion në lidhje me veprimtarinë e Ministrit të Shtetit për Rindërtimin mbi ndjekjen dhe bashkërendimin e veprimtarisë së ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit të objekteve të dëmtuara dhe të shkatërruara”, thotë KLSh.
KLSh i rekomandon Ministrit të Shtetit për Rindërtimin, të aktivizojë kabinetin e tij për të plotësuar me dokumentacion aktivitetet mbi ndjekjen dhe bashkërendimin e veprimtarisë ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit të objekteve të dëmtuara dhe të shkatërruara.
Rama konfirmohet me rindërtimin dhe pandeminë
Më 25 prill u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Këtyre u parapriu një përshpejtim në procesin e rindërtimit, duke bërë që opozita të akuzonte se po shfrytëzohej kjo tragjedi për qëllime elektorale.
Rama nisi të përurojë gjatë fushatës zgjedhore shkolla, lagje, pallate e vepra të tjera të realizuara me fondet e qeverisë dhe me ato të donatorëve, si për të sjellë shembullin se procesi i rindërtimit po ecte me ritme të shpejta.
Pandemia ndau në dysh prioritetet e qeverisë, që krahas rindërtimit u përqëndrua edhe te sigurimi i vaksinave për popullatën. Dërgesat e para të tyre do të mbërrinin pikërisht para zgjedhjeve. Rama e përqëndroi fushatën te këto dy shtylla, duke u thënë qytetarëve se “vetëm Partia Socialiste ishte garancia se rindërtimi dhe vaksinimi do të vazhdojnë”.
Korrupsion edhe me tragjedinë
Dy ekspertë pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë akuzohen se në mënyrë të vazhdueshme kanë ndërhyrë kundrejt pagesës me qëllim rritjen e klasifikimit të nivelit të dëmeve të një banese që ishte shembur më parë si pasojë e shpronësimit për interes publik me kërkesë të OST-së.
Përmes një ryshfeti prej 2 mijë eurosh, dyshohet se ata kanë ndërhyrë që në dokumentet e Njësisë Administrative të Petrelës të bëhej sikur banesa ishte prishur nga tërmeti me qëllim fitimin e grantit të Rindërtimit. Ata u arrestuan me urdhër të SPAK.
Hetime të ngjashme nga Prokuroria e Posaçme janë nisur edhe në Durrës dhe në Tiranë, ku pesë persona janë marrë nën hetim për abuzime me lejet e ndërtimit. Mes tyre ka edhe ish-zyrtarë të pushtetit vendor të ish-komunës së Farkës.
Sa janë strehuar?
Qeveria premtoi fillimisht se fundi i këtij viti nuk do të gjente asnjë banor jashtë shtëpisë së re, që do të përfitonte përmes rindërtimit. Por, më vonë ajo e ndryshoi këtë afat duke e shtyrë në kohë tashmë fundin e vitit 2022 pëër banesat vetjake dhe 2023 për pallatet.
Si arsyetim, Qeveria nxorri gjendjen e pandemisë të shkaktuar nga Covid. Megjithatë, përveç ndonjë rasti mediatik të strehimit të familjeve të prekura nga tërmeti në banesat e reja, nga autoritetet nuk ka asnjë të dhënë tjetër të saktë e zyrtare se sa është numri i personave të strehuar përfundimisht deri më tani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.