Në shtator të 2020 hyri në fuqi ligji që legalizoi kriptomonedhat në Shqipëri, ndërsa në nëntor të 2021 kaloi edhe rregullorja përkatëse që ngarkon Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare me detyrën e kontrollit të këtyre subjekteve për të mos pastruar para.
Por, thuajse dy vite nga miratimi i ligjit dhe shtatë muaj nga miratimi i rregullors, AMF nuk ka asnjë subjekt që të kontrollojë dhe arsyeja është e thjesht, s’ka dhënë asnjë licencë deri më tani në këtë drejtim.
“Për momentin, në fushën e aseteve virtuale nuk ka asnjë subjekt të licencuar nga Autoriteti. Gjithashtu, edhe sa i përket agjentëve të lidhur, që kanë një kontratë me një broker të huaj të regjistruar në një nga vendet e BE-së, aktualisht nuk rezulton asnjë subjekt i regjistruar nga Autoriteti për të ushtruar këtë veprimtari”, tha përmes një deklarate Autoriteti.
AMF iu përgjigj deklaratave të deputetit socialist, Erion Braçe, i cili tha se kriptovalutat po përdoren për pastrimin e parave nga ana e krimit të organizuar. Ai kërkoi që AMF të jetë më agresive në rolin që ka për të licencuar subjektet dhe denoncuar, ndërsa Autoriteti deklaron se në të gjitha rastet kur vihet në dijeni për një aktivitet të tillë të palicencuar, e referon rastin në polici dhe prokurori.
“Sa i përket subjekteve të palicencuara, në momentin që ne vihemi në dijeni për një subjekt që mund të kryejë aktivitet të paligjshëm, ne e referojmë në organet ligjzbatuese (polici, prokurori), siç kemi vepruar në vazhdimësi”, thuhet në deklaratën e AMF.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.