Gazeta Si – Dy vëllezër janë dhunuar fizikisht në autostradën Tiranë-Durrës pas një aksidenti, ndërsa njëri prej tyre është marrë peng për disa metra nga personat që ndodheshin në mjetin tjetër.
Indrit dhe Gentian Beqiraj, me precedent të mëparshëm penal për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje, dyshohet se janë rrahur nga 4 persona, të cilët janë shpallur në kërkim nga policia.
Ashtu siç konfirmon edhe policia, përplasja është shënuar të shtunën, 1 tetor, ndërsa ngjarja u mësua këtë të hënë.
Dy vëllezërit kanë qenë duke udhëtuar me motor, kur një makinë i ka prerë rrugën dhe janë përplasur.
Motori ka dalë nga rruga dhe më pas ka nisur sherri. Dy vëllezërit janë përplasur fizikisht me 4 personat që udhëtonin në makinën tjetër ende të paidentifikuar.
Në deklaratën e saj për shtyp, policia tha se njëri nga vëllezërit është futur me forcë në makinën e personave të paidentifikuar ende dhe kanë udhëtuar bashkë me Indrit Beqirajn për rreth 300 metra, ku e kanë zbritur nga mjeti dhe janë larguar në drejtim të paditur.
Nga burime në rrugë jo zyrtare, policia i është vënë në ndjekje makinës së autorëve dhe në momentin që personat e kanë parë që po ndiqeshin, e kanë zbritur nga makina Indrit Beqirajn dhe janë larguar.
Më pas është bërë dhe denoncimi. Policia po e trajton rastin si heqje e paligjshme e lirisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.