Ka krijuar shumë polemika dhe ka shkaktuar shumë reagime penalltia e dhënë në favor të Anglisë në fundin e shtesës së parë të ndeshjes gjysmëfinale me Danimarkën. Pas ndeshjes, edhe tifozët anglezë janë shprehur se ishin me shumë fat, duke pranuar se penalltia nuk ishte.
“Nuk mendoj se ishte penallti”, - ka thënë Kejn për “Itv”, televizionin që transmetoi ndeshjen në Angli. Edhe Geri Nevil, tani në rolin e komentatorit, është shprehur: “Ishte një penallti shumë bujare, një prekje shumë e lehtë”. Në këtë linjë kanë qenë shumë personazhe të njohur të botës së futbollit, mes tyre edhe Zhoze Mourinjo, i cili e ka thënë shumë prerë: “Nuk është kurrë penallti”.
Diskutimi nuk ka të bëjë vetëm me hedhjen e Sterling, pas kontaktit që ai ka pasur me këmbët e Maehle dhe Jensen, por edhe me praninë e dy topave në fushë në fillim të aksionit. Rregullorja për një rast të tillë thotë se "nëse një top i dytë, një tjetër objekt hidhen në fushë gjatë ndeshjes arbitri duhet të lejojë vazhdimin e lojës, nëse elementi i jashtëm nuk interferon në aksion dhe duhet larguar sa më parë".
Pra, arbitri nuk është i detyruar ta ndalojë lojën, por në rastin konkret topi i dytë ishte shumë afër aksionit, siç duket edhe nga imazhet. Topi i dytë ishte një element shqetësues si për Sterling, ashtu edhe për Maehlen, që po e ndiqte, edhe pse në fakt loja e tyre vazhdon e qartë.
Rrjetet sociale ndërkohë janë pushtuar nga memet për momentin e rrëzimit të Sterling. Të shumtë ishin ata që kanë postuar foto të hedhjes së një delfini, apo peshqve të tjerë, ndërsa disa të tjerë kanë ironizuar, duke postuar foto të kryeministrit anglez Boris Xhonson në kabinën e sistemit VAR. Tashmë gjithçka ka përfunduar dhe asgjë nuk kthehet pas, polemikat, me sa duket, do të vazhdojnë edhe me VAR-in.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.