Motosport

Dy timonë për Mik Shumaker, piloti i tretë për Mercedesin dhe MekLaren

Gazeta Si – Djali i 7 herë kampionit të botës, Mikael Shumaker, ka marrë masat për sediljen e makinës së skuadrës nga Shtutgarti. Do jetë piloti rezervë i Hemilton dhe Rasëll, por edhe i Norris dhe Piastri.

Ditët e para të shkollës për Mik Shumaker te Mercedesi. Piloti gjerman, djali i kampionit të madh, është prezantuar me makinën Mercedes dhe ka bërë veprimet rutinë të marrjes së masave të sediljes. Mik nuk rinovoi me Has në fund të sezonit që shkoi. Ai ka kaluar te Mercedesi si pilot rezervë dhe do të mbështesë Ljuis Hemiltonin dhe Xhorxh Rasëllin.

Shumaker ka debutuar në F.1 me makinën Has në 2021-shin dhe ka vazhduar deri në 2022-shin, por për sezonin e ri vendin e tij e zuri Niko Hulkenberg. Mik do të bëjë pilotin rezervë edhe te MekLaren, që e ka zyrtarizuar tashmë gjermanin në këtë rol.

Mercedesi ka postuar fotot e makinës dhe Mik Shumakerit të buzëqeshur, teksa merrte masat për sediljen e personalizuar. Një moment që ka risjellë kujtimet e të atit, që ka garuar me ‘Shigjetat e argjendta’ nga 2010-a në 2012-ën. “Jam entuziast që jam pjesë e Mercedesit, – ka thënë Mik. – Do të bëj maksimumin. Po e marr si një fillim të ri, jam entuziast dhe i jam mirënjohës Toto Volf e gjithë të tjerëve që patën besim tek unë.

Formula 1 është një botë kaq tërheqëse, nuk përfundon kurrë së mësuari, mezi pres të marr më shumë njohuri dhe të jap gjithçka për të mirën e Mercedesit”.

Shpresat e Mik Shumaker janë që të ketë mundësinë të gjejë një tjetër sedilje në F.1, duke qenë i lidhur me një nga tre ‘top team’, edhe pse në rolin e pilotit rezervë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë