Selia e Partisë Demokratike është rrethuar me shiritin e verdhë të policisë, pasi zona tashmë konsiderohet skenë krimi.
Në ambientet e PD-së, protestuesit demokratë përdorën dhunë, duke thyer dyert dhe dritaret e godinës.
Dëmet materiale janë të shumta, ndërsa disa nga protestuesit mbetën të lënduar.
Deri më tani, disa shtetas janë shoqëruar në polici, ndërsa kryeprokurorja Elizabeta Imeraj u shpreh se do të ndiqet çdo situatë dhe se përgjegjësit do të përgjigjen para ligjit.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar kryerja e veprimeve procedurale, në selinë e Partisë Demokratike, për këqyrjen e çdo ambienti ku u zhvillua ngjarja që degradoi në përdorimin e dhunës, njofton policia, në deklaratën për mediet.
“Duke filluar nga jashtë, deri në të gjitha ambientet e brendshme të selisë, do të bëhet këqyrja dhe do të mblidhet çdo provë e paligjshmërisë që karakterizoi ngjarjen e dhunshme.
Do të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale të gjitha provat, në funksion të hetimit, me qëllim zbardhjen e plotë të të gjithë dinamikës së kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorëve të përfshirë ne akte dhune, për të garantuar nxjerrjen e tyre pa dallim, para drejtësisë”.

Pasi protestuesit i larguan nga selia PD shpërndau një njoftim sipas të cilit kreu i partisë Lulzim Basha, priste mediat në zyrën e tij, por kjo gjë nuk është lejuar nga policia.
Sipas saj selia e PD është një “skenë krimi”, ku do të mblidhen provat. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi i kërkoi policisë të lejonte hyrjen e gazetarëve. “Lejoni të hyjnë gazetarët në shtëpinë e lirisë, të shkatërruar nga Sali Berisha”, tha Bardhi. Sipas tij ngjarja ka ndodhur në bashkëpunim mes Berishës dhe kryeministrit socialist Edi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.







