Ka ndodhur

Dy të arrestuar si të përfshirë në vrasjen e Ermir Dedjes në Durrës

Gazeta Si – Ka shkuar në 5 numri i personave të identifikuar si të përfshirë në vrasjen e 29-vjeçarit, Ermir Dedja.

Policia njoftoi sot se ka arrestuar dy persona, për sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje.

Në pranga janë vënë shtetasit, Erion Ndoni dhe Klodian Berisha, ndërkaq, shpallet në kërkim shtetasi Xhuljano Dyrmishi.

Nga hetimet rezulton se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kontrabanduar në Shqipëri, 2 automjete tip “Seat”, njëri prej të cilëve është shitur dhe më pas është përdorur gjatë vrasjes së Dedjas.

Policia ka bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin në cilësinë e provës materiale, të automjetit tjetër tip “Seat”, i cili ishte kontrabanduar me qëllim për t’u përdorur për një ngjarje tjetër kriminale.

Në kuadër të hetimeve, janë shpalluir një 44 vjeçar, si dhe një maroken 46 vjeç, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”. Të 3 personat e shpallur në kërkim rezultojnë jashtë vendit.

Ermir Dedja u qëllua për vdekje në orët e vona të mbremjes së ditës së hënë, teksa ndodhej nën shoqërinë e dy personave të tjerë. Ai mori një plumb në gjoks çka i shkaktoi vdekjen e menjëhershme.

Ngjarja në fjalë ndodhi rreth mesnatës së të hënës në lagjen numër 18 në qytetin bregdetar. Viktima po lëvizte me këmbë në trotuar, kur një automjet tip Seat, u afrua qetësisht drejt tij dhe vrasësit qëlluan me armë nga brenda tij.

Emri i Ermir Dedjas nuk është i panjohur për policinë. 10 vjet më parë, në 2015, u arrestua si i dyshuar për shitjen e një sasie lende narkotike dy shtetasve nga Hasi, që do e trafikonin në Kosovë.

Dy vite më pas, në 2017, është ndaluar për përkrahje të autorit të një plagosjeje dhe mbajtjen pa leje të një thike që iu gjet gjatë kontrollit fizik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë