Politike

‘Dy spektakle mediatike këtë vit, vrasja e Martinit dhe ekzekutimi në Pogradec’, Rama: U sajuan thika dhe vrasës të tjerë

Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit me gazetarët, deklaroi se ky vit ishte viti me numrin më të ulët të vrasjeve, por shtoi se “ka pasur dy spektakle që për nga intensiteti dhe manipulimi i publikut kanë qenë për t’u lavdëruar”.

Kryeministri Edi Rama ka komentuar vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj, krim i ndodhur pranë derës së shkollës “Fan Noli” ku dy të rinjtë studionin.

Rama tha se u krijuan vrasës dhe thika të tjera, ndërsa shtoi se publikut iu treguan versione kriminale.

“’Spektakli’ pas vrasjes në Pogradec u karakterizua nga gënjeshtra, sajesa, skandale pas skandalesh nga aspekti i integritetit të shërbimit ndaj publikut duke filluar natyrisht nga politikanët dhe pastaj ‘o burra’ kush flet më shumë në drejtim të gabuar.

Spektakli tjetër edhe më i shëmtuar në këtë aspekt që po flas unë ka qenë ai që u bë me 14-vjeçarin dhe me tragjedinë e asaj familje sepse aty u krijuan edhe vrasës të tjerë, u sajuan edhe thika të tjera, u sajuan versione kriminale në aspektin e detyrimeve ndaj publikut. Unë e quaj kriminale që në kushtet e atyre emocioneve shumë të natyrshme për humbjen e një jete aq të re ti të furnizosh publikun me helm. A thua se nuk mjafton helmimi i shpirtit nga ndodhia. T’i thuash publikut se policia ka fshehur një vrasës tjetër. T’i thuash publikut se vrasësi tjetër është djali i një hetuesi të BKH-së dhe për këtë arsye e kanë fshehur. Krim t’ia thuash publikut këto, sipas meje, moral.

Është mbajtur publiku në ajër me një mashtrim kolektiv të atyre që u përfshinë, jo i gjithë kolektivi mediatik por ata që u përfshinë. Mund të kuptoj politikanët që atë armë kanë zgjedhur, fabrikimin”, tha Rama.

Rama foli edhe në lidhje me paketën e sigurisë në shkolla dhe faktin që shkollat do të monitorohen me kamera.

“Nuk do të jetë si Big Brother. Të dhënat do t’i marrë kushdo dëshiron nga prindërit psh. Hyrja në shkollë do të jetë e një niveli të lartë sigurie. Do të monitorohen edhe çfarë mbahen në xhepa. Ky është një sistem që ka dhënë rezultate ne shtetet ku është implementuar. Gjithçka do të jetë transparente. Kjo paketë do të jetë krenaria e mandatit tonë të katërt”, tha kreu i qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë