Ka ndodhur

Dy shpërthime me tritol ndaj një makine në Shkodër dhe një lokali në Fushë Krujë

Gazeta Si – Dy shpërthime me tritol kanë ndodhur në oët e para të mëngjesit në Shkodër dhe Fushë Krujë këtë të premte, ku nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Në Shkodër, është vendosur tritol ndaj një makine në pronësi të 37-vjeçarit Alban Bushati, e cila ishte parkuar në rrugën “Martin Camaj” në lagjen “Partizani”.

Mësohet se nga ngjarja nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat e plota të saj. Sipas policisë, lënda plasëse është vendosur tek goma e parë e makinës, duke e dëmtuar atë pjesërisht.

Ndërkohë po sot, në orët e para të mëngjesit, në Fushë-Krujë, janë dëmtuar, dyshohet me lëndë plasëse xhamat e fasadës së jashtme të lokalit në pronësi të shtetasit B.T., informoi sot policia e Tiranës.

Grupi Hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e rrethanve të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë