Futboll

Dy sfida rivalësh sot në Superiore, në mbrëmje derbi i krizës Partizani-Dinamo

Dy përplasje mes skuadrash rivale sot në Superiore, në javën e 13-të të saj. E para është Teuta-Kukësi, që zhvillohet në “Elbasan Arena”. Kampionët në fuqi sikur po e marrin veten pas atij fillimi të dobët dhe ndeshja e sotme me Kukësin është një provë force për ta.

Kukësi vjen në këtë ndeshje pas humbjes me Laçin dhe nuk i falet një hap i dytë radhazi i gabuar. Skuadra e trajnerit Longo ndjen tashmë edhe presionin e Vllaznisë, që e ka barazuar me pikë. Ka pasur polemika të mëdha për një gol të anuluar në ndeshjen me Laçin, por tashmë i gjithë përqendrimi është te Teuta.

Nga ndeshja e fazës së parë mes Teutës dhe Kukësit. Gazeta Si, 13 dhjetor 2021

Në mbrëmje luhet derbi Partizani-Dinamo. Një derbi të dëshpëruarish, pasi asnjë nga këto dy skuadra nuk po e gjen dot veten në këtë kampionat. Partizani vjen nga humbja me Vllazninë, Dinamo nga humbja me Teutën, zhgënjimi është shumë i madh në dy kampet, sepse pritshmëritë kanë qenë të mëdha. Në “Air Albania” barazimi nuk vlen, dy skuadrat do të përpiqen të mbytin njëra-tjetrën.

Nesër Tirana kryesuese shkon në Laç, ku do të ndeshet me ekipin ndoshta më të mirë të momentit. Me Josën në krye, kurbinasit kanë pasur një ecuri shumë të mirë dhe janë ngjitur në renditje. Nëse Laçi mposht edhe Tiranën sot, bëhet vërtet një kandidat për titullin kampion. Kryeqytetasit shkojnë në këtë transfertë me komoditetin që të jep diferenca prej katër pikësh me vendin e dytë dhe një barazim do të ishte i pranishëm për ta.

Abissnet Superiore, java e 13-të
Sot
Teuta-Kukësi
Partizani-Dinamo
Të dielën
Vllaznia-Skënderbeu 2-0
Kastrioti-Egnatia 1-0
Të martën
Laçi-Tirana


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë