Qeveria ka dërguar në Parlament dy kontratat në një vlerë mbi 280 milionë euro për dy rrugët për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i Jahteve – By- Pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës)” dhe rruga segmenti rrugor Milot-Balladre.
Rruga e parë me një gjatësi 14,7 km ka vlerën e 67,359, 926 euro dhe ka si kontraktor firma Gjikuria , ndërsa rruga e dytë ka vlerën e 213,665,040 eurove dhe është marrë përsipër nga shoqëria “ANK” shpk.
Këto dy kontrata të reja kanë ndezur menjëherë debatet mes mazhorancës dhe opozitës duke nxjerrë aludimet se prapa tyre qëndrojnë afera korruptive. Shkak për këtë janë bërë arsye se dy firmat do të marrin hua për të siguruar punimet me afate kohore, ku parashikohet dhe mirëmbajtja për 13 vite. Ish-deputeti i PD-së, Agron Shehaj shprehet se kontrata e koncesionit të rrugës Milot-Balldren është kontratë mashtruese. “Kompania ANK ka marrë përsipër të paguajë 52 milionë euro nga kapitali i saj, kur ka vetëm 4 milionë euro kapital. Kompania ka premtuar që me ketë kapital minimal do të marrë edhe 70 milionë euro të tjera kredi nga bankat dhe 19,5 milionë euro financim nga furnitorët (!). Ose ANK ka fryrë kostot në një skemë tipike korrupsioni, ose do pastrojë para të pista në këtë projekt, ose të dyja bashkë. Një gjë është e sigurt: kompania nuk e ka kapitalin për të cilin ka mashtruar në kontratë dhe ky mashtrim duhet hetuar menjëherë”, shprehet Shehaj në reagimin e tij.

Për kontratat e depozituara nga qeveria që do të shkaktojnë një kosto të madhe, rezultojnë të firmosura në emër të qeverisë nga zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli. Për nënkryetarin e LSI-së, Petrit Vasili këto kontrata duhen hetuar.
“Qeveria po thellohet në mënyrë të tmerrshme në një korrupsion galopant. Po ua them që në fillim pa sqaruar ende me shifra që të gjitha këto kosto të tmerrshme bien mbi xhepin e qytetarëve shqiptarë”, shprehet Vasili.

Ai thekson se këto kontrata duhet të jenë pjesë e objektit të hetimit. Vasili gjithashtu shprehet se kushdo deputet, që i voton këto kontrata bëhet bashkëfajtor në vjedhjen kolosale të parave të shqiptarëve. “Për qindra milion eurot e vjedhura në këto rrugë kryeministri kërkon që të heqë përgjegjësinë nga vetja dhe tua lërë deputetëve në kurriz. Në çdo lloj forme miratimi kjo mbetet vjedhje, por në këtë rast qeveria kërkon të fshihet pas Parlamentit dhe pas përgjegjësisë kolektive për të shpëtuar veten. Deputetet që do ta votojnë do të marrin përsipër përgjegjësinë penale dhe morale për grabitjen e 330 milion eurove, për dy rrugë krejt të parëndësishme dhe që realisht kushtojnë dhjetëra herë më pak se sa ato qe qeveria ka bere pazar me kompanitë ndërtuese.

Sipas tij Parlamenti është thjesht noterizues i verbër i grabitjes se parave të qeverise, pasi “ajo ja çon Parlamentit për ta votuar thjesht dhe vetëm për të shpërndarë përgjegjësinë dhe për ta bërë atë kolektive e për të bërë bashkëfajtorë deputetet”.
Rama sulmon opozitën: Flisni si për teritale
Kryeministri Edi Rama iu është kundërpërgjigjur në Kuvend akuzave të opozitës, ku vetëm për atë Milot-Balldre cilësohet si një kosto për 15 milionë euro për kilometrër. “E paimagjinueshme që kilometrat e rrugëve të trajtohen si metra teritali. Kur flasim për kilometra rrugësh duhet të shohim se çfarë kanë ato kilometra, nuk mund t’i bihet shkurt dhe të thuash që si ka mundësi që për 17 km rrugë kaq shumë para. Së pari, ne e kemi thënë sapo të mbyllim rrugët e lëna rrugëve do të ndërtojmë rrugë të standardeve europiane. Të dyja rrugët që do të ndërtohen janë standardi A. Rrugë me standard A në Shqipëri kemi vetëm një pjesë të Rrugës së Kombit, ndërsa rruga Tiranë-Elbasan, që është shëmbëlltyra me kuptimplotë e faktit që ti nisesh për t’i rënë shkurt dhe del gjatë, ka kushtuar trefishin e parashikimit për shkak se është projektuar qorrazi”, deklaroi Rama në Parlament.

Duke mbrojtur kostot e kontratës, kryeministri theksoi se në rrugën Milot-Balldren do të ndërtohen dy ura ajo mbi lumin Mat dhe lumin Drin, si dhe do të ketë dy tunele, si dhe për 13 vite radhazi kompanitë fituese do të mirëmbajë rrugën .
“Janë kompanitë që investojnë kapitalin e tyre dhe shteti paguan vit pas viti dhe nuk janë para që jepen menjëherë. Dje lajmëroi ndërtimin e rrugës nga kufiri i Kosovës në Shkup 14 km 120 milionë euro. Si mund ta masësh rrugën sikur po mat terital. Ka vetëm një mundësi dhe arsye, sepse je vetë kur flet kështu, ose kusar që e kë bërë këtë punë kur e ke pas në dorë”, theksoi Rama.
Rruga e Milot-Balldre
Sipas relacionit të qeverisë rruga Milot-Balldre, pas negocimit të kontratës, vlera totale e projektit e dakordësuar ndërmjet palëve sipas specifikimeve teknike, përfshirë projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës; projektimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe operimin e tunelit është 213,665,040 euro plus TVSH-në, sipas propozimit financiar, pjesë e kontratës së koncesionit/PPP. Struktura e financimit përfshin një hua bankare prej 70,000,000 euro, e cila do të merret nga një ose më shumë institucione financiare.
Huaja do të përdoret tërësisht për të shlyer detyrimet që lidhen me ndërtimin e këtij aksi rrugor. Huaja do të fillojë të disbursohet gjatë vitit të parë dhe të dytë të projektit, në këste të barabarta, periudhë në të cilën do të llogariten interesat por nuk do të paguhen. Në relacion theksohet se financimi nga furnitorët do të jetë në vlerën 19,500,000 euro, ndërkohë shoqëria do të investojë nga kapitali i saj shumën prej 52,000,000 euro.

Interesi i llogaritur i kapitalit të investuar nga shoqëria do të përdoren për ndërtimin e tubit të dytë të tunelit, sipas specifikimeve teknike në ofertën e paraqitur si dhe deklaratës të datës 18.3.2019 të ofertuesit fitues “ANK”, shpk. Sipas propozimit të rishikuar financiar, sipas deklaratës të datës 19.3.2019, norma e interesit e llogaritur për gjitha burimet e financimit të përcaktuara më sipër është 5%. ANK shpk do të ndërtojë këtë rrugë sipas kontratës me shoqërinë “Bardh Konstruksion”, shpk, në pronësi, firma e parë të Agim Kola dhe e dyta e Badhokës Kola. “Bardh Kontruksion” në QKB është regjistruar si objekt aktiviteti: Projektim, ndërtim, operim dhe mirëmbajtje e segmentit rrugor Milot-Balldre që në 6 nëntor 2018. Kjo firmë është kompani në pronësi të ANK, si ortaku i vetëm në vlerën e 100% të aksioneve. ANK ka një kapital 405.000.000 lekë. Ky projekt përfshin kontratën për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot-Balldren, me gjatësi 15 km + 570.35 m, si dhe rrugët dytësore e lidhëse për të mundësuar lëvizjen e banorëve dhe akses në rrugën kryesore, me gjatësi 9.5 km. Në këtë projekt përfshihet ndërtimi i dy urave dhe ndërtimi i tunelit me dy tuba, si më poshtë vijon: 1. Ura e Matit 620 m 2; Ura e Drinit 223.4 m; Tuneli në Malin e Rencit 850 m.
Sipas relacionit të Qeverisë, shoqëria “ANK”, shpk., ka rënë dakord që të ulë ofertën financiare. Oferta totale fillestare ekonomike e shoqërisë për ndërtimin, mirëmbajtjen e rrugës, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe operimin e tunelit ishte 217,318,500 euro plus TVSH. Me deklaratën e datës 18.3.2019, shoqëria “ANK”, shpk., ka marrë përsipër që vlera totale e gjithë kontratës koncesionare të jetë në vlerën e 213.665.040 euro plus TVSH.

Kontrata me firmën Gjikuria për rrugën Portii Jahteve- By Pass- Orikum-Dukat, ndryshe nga projekti i parë me PPP, është pjesë e projektit të qeverisë “One Billion Euro”. Kjo rrugë do të ndërtohet nga “Gjikuria”, shpk si koncesionar dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum-Llogara”, shpk, për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e këtij segmenti rrugor. Gjikuria është aksioner edhe tek të dy kompanitë. Referuar deklaratës së datës 21 mars 2019, qeveria në relacionin e saj bën të ditur se shoqëria do të investojë nga kapitali i saj shumën prej 21. 771.548 euro. Struktura e financimit përfshin një hua bankare prej 25. 585.166 euro, e cila do të merret nga një ose më shumë institucione financiare. Huaja do të përdoret tërësisht për të shlyer detyrimet që lidhen me ndërtimin e këtij aksi rrugor. Pagesat vjetore nga buxheti i shtetit, që do të fillojnë në vitin e dytë të projektit, do të jenë 2 113 000 euro dhe deri në vitin e trembëdhjetë me 1 896 171 euro. Gjithsej, vlera e projektit, që përben edhe vlerën totale të pagesave të disponueshmerisë nga buxheti i shtetit gjatë gjithë kohëzgjatjes së projektit, do të jetë 67 359 926 euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




