Politike

Kuvendi e miraton/ Dy përgjigjet kyçe të Idrizit për shfuqizimin e ligjit të luftës me Greqinë: Pse deklaratë (dhe jo rezolutë) dhe pse duhet një grup pune

Nga Gazeta Si - Dy ishin pikat kyçe që Shpëtim Idrizi i dha përgjigje diskutimit në Kuvend të kërkesës që propozuar prej tij për shfuqizimin e ligjit të luftës. Së pari, pse kërkesa për ligjin e luftës është trajtuar si deklaratë dhe jo rezolutë dhe pse duhet grup pune.

Idrizi sqaroi në thelb se deklarata është një akt  politik që ngarkon jo vetëm institucionet e brendshme por i drejtohet edhe vendit fqinj.

Jemi të vonuar se jemi pas 84 vitesh, dhe lufta vazhdoi vetëm për dy jave në territorin grek dhe vazhdon prej 83 vitesh 11 muajsh e dy javësh në Shqipëri. Deklarata është një instrument e qëndrimeve politike, i cili kalon me konsensus apo me votim, duke u shprehur për një çështje me interes të lartë kombëtar.

Nuk është rezolutë, sepse nuk i drejtohet vetëm institucioneve të brendshme, me kërkesën për të raportuar për zhvillimet në lidhje me çështjen e ligjit të luftës, por dhe atyre të vendit fqinj, në formën e një ftese për bashkëpunim...”, tha Idrizi.

Dhe kur foli për formën e bashkëpunimit, Idrizi nënkuptoi edhe ngritjen e një grupi ndërparlamentar mes dy vendeve, për të adresuar jo vetëm problemin e abrogimit të ligjit të luftës dhe pasojave juridike që burojnë nga ky ligj, por çështje të ngjashme si pronat e çamëve apo pensionet.

Një pikë e dyte kjo e kontestuar nga dy deputetet demokratë Flutura Açka dhe Ferdinand Xhaferri.

“Më së pari duhet të ndjekim precedentin ligjor për heqjen e ligjit të luftës me Italinë. Atëherë parlamenti italian nuk ngriti grup pune për këtë çështje”, tha Xhaferri.

Idrizi nga ana e tij sqaroi edhe njëherë se jo specifikisht grupi i punës duhej ngritur vetëm për ligjin e luftës.

"Pra sa i përket ligjit të luftës nuk bëhet fjalë për grup të përbashkët por ndërkohë ne me Greqinë kemi një gamë më të gjerë sic është cështja e shqiptarëve të çamërisë apo e kufijve që nuk i kemi me Greqinë apo pensionet dhe për shumë cështje të tjera".

Në fund të diskutimeve ku secili prej krerëve të grupeve parlamentare dha mbështetjen, Kuvendi miratoi me 96 vota pro, asnjë abstenim dhe asnjë kundër projekt0deklaratën

Cfarë kërkohet?

“Kuvendi fton Parlamentin e Republikës së Greqisë të mbështesin përpjekjet e qeverisë së tyre për jetësimin e vullnetit politik të shprehur më shumë se një herë nga Ministrat e Jashtëm të Republikës së Greqisë për abrogimin e Ligjit të Luftës Nr. 2636/40 me Shqipërinë, dhe në këtë frymë pozitive të marrin në konsideratë e të miratojnë çdo instrument ligjor që do ti shërbente korrigjimit të kësaj situate që nuk përputhet me realitetet e marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Greqi.

Në përputhje me angazhimin ndërparlamentar të parashikuar në Traktatin e miqësisë, bashkëpunimit reciprok, sigurisë mes dy vendeve, ne bëjmë thirrje të krijohet një grup pune mes dy Parlamenteve që të kontribuojë zyrtarisht në këtë drejtim, apo në adresimin e çdo problemi të ngjashëm në marrëdhëniet mes dy vendeve tona sipas parimeve të njohura të bashkëpunimit ndërkombëtar...”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë