Aleksandër Vuçiç ka marrë dy letra urimi për ditën e pavarësisë, nga presidentët Joe Biden i SHBA-ve dhe Vladimir Putin i Rusisë.
Të dyja letrat përmbajnë mesazhe të qarta në adresë të Serbisë, e cila gjendet në një udhëkryq për dy çështje. Së pari për çështjen e Kosovës, për arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve dhe së dyti për qëndrimin që po mban Beogradi zyrtar për pushtim rus në Ukrainë.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë, Biden i ka dhënë mesazh të qartë se SHBA mbështet planin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Beogradit.
“Në vitin e ardhshëm, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën nën patronazhin e BE-së. Ne mirëpresim mbështetjen tuaj për propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin, i cili do të kontribuojë në krijimin e një të ardhmeje më paqësore dhe të begatë për rajonin. Pres me padurim forcimin e mëtejshëm të partneritetit të vendeve tona dhe miqësisë së popujve tanë”, shkruan Bajden në letrën e tij.
Sa i përket luftës në Rusi, presidenti amerikan i bën thirrje që të Serbia të mbështesë Ukrainën.
“Së bashku, ne duhet të vazhdojmë të mbështesim popullin e Ukrainës dhe të mbajmë Rusinë përgjegjëse për luftën e saj të padrejtë dhe të paprovokuar kundër Ukrainës”, thuhet në letër.
Ndërsa letrën e dërguar nga Putin, sipas Reuters, ai “vlerëson lartë politikë e jashtme të balancuar të Serbisë”, si dhe mbështetet ato që i quan përpjekje të Serbisë për të mbrojtur integritetin territorial në përballjen me Kosovën.
“Serbia është një partner i rëndësishëm dhe i besueshëm i Rusisë”, shkruante Presidenti Putin në letrën drejtuar Presidentit serb Aleksandër Vuçiç, me rastin e ditës së pavarësisë së këtij vendi, që shënohet të mërkurën më 15 shkurt.
“Ne e vlerësojmë shumë kursin e balancuar të Beogradit në politikën e jashtme, në një mjedis ndërkombëtar të ndërlikuar. Ne mbështesim përpjekjet për të mbrojtur integritetin tuaj territorial dhe për të zgjidhur çështjen e Kosovës”, shkruan Putin.
Por ndërsa tensionet BE-Rusi përshkallëzohen, thirrjet perëndimore që Beogradi t’i bashkohet sanksioneve kundër Moskës, duke harmonizuar politikën e tij të jashtme me Brukselin, po bëhen më të forta.
“Jam i bindur se një zhvillim i mëtejshëm i partneritetit strategjik ruso-serb, pasqyron interesin më të mirë të popujve tanë, vëllezër”, vijonte ai më tej.
Rusia është aleati kryesor i Serbisë në kundërshtimin që ky vend i bën pavarësisë së Kosovës, të shpallur 15 vite më parë.
Beogradi ka refuzuar të zbatojë sanksionet e Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Moskës lidhur me agresionin e saj në Ukrainë, pavarësisht ambicieve për anëtarësim në BE.
“Serbia ka ruajtur prej kohësh një balancë delikate mes aspiratave për në BE dhe partneritetit me NATO-n nga njëra anë, e lidhjeve të saj shekullore, etnike e fetare, me Rusinë nga ana tjetër”, shkruan Reuters. Edhe pse në mënyrë të përsëritur ka dënuar sulmin rus në Ukrainë në Kombet e Bashkuara e në forume të tjera ndërkombëtare, Serbia është kritikuar nga Brukseli për moszbatimin zyrtar të sanksioneve kundër Moskës
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




