Nga Gazeta ‘Si’ – Pak orë pas mesditës, kreu i PD Sali Berisha vizitoi ditën e djeshme Ervin Salianjin në burgun e Fierit të cilit sëbashku me disa ëmbësira i dërgoi edhe dy libra dhuratë.
Berisha i zbuloi vetë autorët në përfundim të vizitës së tij duke dhënë kështu edhe disa mesazhe me përzgjedhjen e tyre.
“I solla dy libra, njërin për Aubrey Herbert dhe të dytin libër të Franc Kafkës”, deklaroi ai para gazetarëve.
Sipas burimeve të Gazetasi.al dy nga titujt e librave që Berisha i dërgoi Salianjit janë:
1)- Miku i madh i Shqiptarëve Aubrey Herbeet dhe krijimi i Shqipërisë së sotme dhe
(2) Procesi- Franc Kafka
I pari shpalos kryesisht idenë e Herbert sipas të cilit Shqipëria duhet të ishte më e madhe nga se është sot.
Kjo vepër tregon aktivitetin e palodhshëm të një personi i cili deri në vdekje punoi pa pushuar për çështjen shqiptare.
Ndërsa me veprën e dytë, Berisha është dukur edhe më i qartë në mesazhin që donte të përcillte.
Të gjithë ata që e kanë lexuar, e dinë fort mirë se si “Procesi” i Kafkës simbolizon keqpërdorimin e drejtësisë për qëllime politike.
Interpretimi i veprës në rrafsh politik rrëfen një qytetar të pafajshëm i cili është paditur konform rregullave për diçka që nuk e ka kryer por, megjithëkëtë duhet të paraqitet përpara gjykatësve pasi në shtetin e tij mbizotëronte ideologjia totalitare.
Berisha la të kuptohet se mund të hiqet një paralele mes subjektit të veprës dhe burgosjes së Salianjit i cili prej muajit shtator po qëndron në burgun e Fierit, pasi gjykata e Apelit konfirmoi dënimin me 1 vit burg ndaj tij për kallëzim të rremë në lidhje me dosjen “Babalja”.
Këtë mesazh Berisha e bëri të qartë edhe me deklaratën nga jashtë burgut ku tha se drejtësia në vend, sipas tij, është bërë mashë politike.
“Çështja Salianji, është sot çështje e ndërgjegjes të mbarë qytetarëve të lirë në botë. Çështja Salianji, është e sanksionuar në 3 rezoluta ndërkombëtare, më të fuqishmet, të votuara për një vend, në të cilën Shqipëria damkoset si narkoshtet, damkoset si shteti i burgosjeve politike, si shteti në të cilën krimi dhe shteti janë sipërmarrje e përbashkët”, citoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.