Ka ndodhur

Dy kushërinj konfliktohen me 2 vëllezër në Himarë dhe qëllojnë me armë zjarri

Gazeta Si – Disa persona, mes tyre dy kushërinj u përplasën fizikisht në Himarë për motive të dobëta me dy vëllezër dhe më pas qëlluan me armë zjarri në ajër.

Polica ka identifikuar shtetasit e përfshirë në këtë konflikt dhe ka arrestuar dy prej tyre dhe proceduar dy të tjerë dhe një është shpallur në kërkim.

Bëhet fjalë për: E.V., 42 vjeç, banues në Himarë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Kanosja” dhe “Plagosje e lehtë me dashje” (aktualisht ndodhet në spital, në ruajtje nga shërbimet e Policisë, pasi ka pësuar dëmtime fizike gjatë konfliktit);

-N. L., 44 vjeç, banues në Himarë, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut”.

U shpall në kërkim shtetasi A. V., 46 vjeç, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Kanosja” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”. Punohet për kapjen e tij.

Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, për shtetasit N. L., 40 vjeç, dhe A. L., 38 vjeç, të dy banues në Himarë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se për motive të dobëta shtetasit E. V. dhe A. V. (kushërinj), janë konfliktuar fillimisht fizikisht me shtetasit N. L. dhe A. L. (vëllezër), dhe më pas i kanë kanosur këta të fundit, duke qëlluar me armë zjarri në ajër, në ambientet e lokalit të shtetasit N. L., i cili ka tentuar ta fshehë ngjarjen.

Po ashtu nga kontrolli në banesën e një prej këtyre shtetasve, “blutë” gjetën dhe sekuestruan 2 armë gjahu, 1 krehër arme zjarri pistoletë, 1 shenjestër optike për snajper, 1 automjet dhe 1 aparat celular.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë